​Nëna mjeke e Rita Orës: Ju tregoj betejën me Covid-19 në Londër

Ajo është me të vërtetë super heroina ime”. Kështu është shprehur për median angleze këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora, për nënën e saj mjeke.

Doktoreshë Vera Ora në një intervistë ekskluzive online pwr Top Channel, tregon për punën e saj si mjeke në shërbim të pacientëve me Covid19, si ndjehen dy vajzat e saj Rita dhe Elena gjatë këtyre ditëve për frikën e infektimit të saj.Vera Ora tregon edhe pasionin më të ri të vajzës së saj, divës shqiptare të muzikës Rita Ora.

Top Channel: Doktoreshë Vera ju punoni në Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë në Angli NHS a jeni në vijën e parë të betejës me Covid19?Dr. Vera Ora: Po, unë punoj si psikiatrie në NHS që është shëndeti publik në Britaninë e Madhe prej shumë vitesh.

Tani në kohën e pandemisë vijoj të punoj në të njëjtën punë me pacientët që janë të sëmurë me Covid19 . Këtë vendim e kam pranuar si detyrë tashmë më të re të profesionit tim që të ndihmoj ekipin e emergjencës në spitalin ku unë punoj.Top Channel: Për ju si mjeke bashke me kolegët tuaj cilat kanë qenë vështirësia më e madhe këto ditë?

Dr. Vera Ora: Vështirësitë janë të ndryshme. Ndryshimet janë drastike në mënyrën se si jemi duke vepruar për momentin. Përballja me pacientët e sëmurë është një tjetër aspekt.

Vështirësi kemi edhe me mungesën e PPE që janë mjetet mbrojtëse pasi puna është me rëndësi parandalimit të infektimit me këtë virus nga pacientët tek personeli shëndetësor. Unë personalisht këto ditë pas punës kam rrobat që i kam të dedikuara për përdorim jashtë.

Top Channel: Krahas të qenurit mjeke ju jeni edhe bashkëshorte dhe nënë e dy vajzave. Duke qenë në kontakt me pacientë përditë a ju shoqëron ndjenja e frikës nga infektimi?

Dr. Vera Ora: Në karrierën time nuk ka m pasur një përballje në një situatë të tillë si kjo që po kalojmë sot. Personalisht ndjehem shumë keq që mund të jem potencialisht rrezik për të afërmit e mi apo njerëzit rreth meje. Mundohem që fokusi im maksimal të jetë në parandalimin e duhur.

Top Channel: Po Rita dhe Elena çfarë ju thonë a janë të shqetësuara për ju?

Dr. Vera Ora: E gjithë familja shqetësohet për mua, vajzat sidomos. Por jemi të vetëdijshëm dhe unë mundohem sidomos ti përcjell edhe atyre edhe rregullat parandaluese të mirënjohura për të gjithë. Për këtë arsye kam kërkuar që vajzat të jenë të izoluara për momentin në mënyrë ta heq shqetësimin për to natyrisht. Më mungojnë por jeta dhe mbikëqyrja e shëndetit kanë një domethënie krejt tjetër tash për të gjithë.

Top Channel: Çfarë këshillash u keni dhënë si Ritës dhe Elenës këto kohë duke e ditur se të dyja ato janë vajza, aktive dhe me impenjime të shumta profesionale?

Dr. Vera Ora: Kryesisht ti përmbahen udhëzimeve strikte për mos ta harruar për asnjë çast se duhet të zbatojnë rregullat për ta parandaluar infektimin. Edhe përse këto ditë artistët nuk munden të performojnë në publik ato aktivitet e shumta i mbajnë përmes rrjeteve sociale, që për fat të mirë për mua si nënë më konvenion mjaft dhe kjo nuk më shqetëson aq sa të mund të ishte ndryshe.

Top Channel: Rita ka pushtuar zemrat e miliona njerëzve në botë me muzikën e saj dhe pa diskutim, në Shqipëri dhe Kosovë ka fansa të panumërt. Jam i sigurt se ata janë kurioz të dinë si është Rita duke kaluar këto ditë?

Dr. Vera Ora: Ajo vijon aktivitetin e punës në profesionin e saj sidoqoftë me ndalesat në fuqi. Gjithashtu ka zbuluar talentin e ri, dëshiron të pikturojë. Për këtë e përgëzoj pasi është një mënyrë e mirë relaksimi dhe do ta kisha rekomanduar për të gjithë shikuesit e juaj gjithashtu.

Top Channel: Doktoreshë Vera dhe në fund të kësaj interviste cilat janë këshillat tuaja për të gjithë ata që kanë zgjedhur të informohen përmes Top Channel?

Dr. Vera Ora: Të qëndrojnë në shtëpi. Të gjithë ata që ndodhen në izolim kanë tashmë mundësi të realizojnë ndoshta ndonjë dëshirë apo ndonjë aktivitet apo hobi që më përpara nuk e kanë pasur të mundur ta bënin. Unë përgëzoj Shqipërinë dhe Kosovën që kanë marrë disa masa ndaluese të lëvizjes shumë më herët.