576 vjet nga Besëlidhja e Lezhës Kohezioni kombëtar, më i rëndësishëm se kauzat për pushtet

Skender Asani

Sa herë që përkujtojmë datat e rëndësishme historike, ajo që mbetet si udhërrëfim, nuk është vetëm regjistrimi i ngjarjeve në kronikën kohës, por edhe mundësia për të ngritur në shkallë më të lartë refleksin kolektiv kombëtar , varësisht nga momenti dhe rrethanat në të cilat ndodhemi.
Nga Dr. Skender ASANI
Besëlidhja e Lezhës, mbajtur më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, në përdorimin publik ka disa emërtime: Lidhja Shqiptare e Lezhës, Kuvendi i Lezhës, Liga e Princërve Shqiptarë, Kuvendi i Princave Shqiptarë, por emërues i përbashkët i kësaj Besëlidhje është: bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit
Organizator kryesor i Besëlidhjes së Lezhës ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kurse ajo që e bën këtë ngjarje të kalojë kufinjt shqiptarë, ishte mbështetja nga Papa, si një mesazh, jo vetëm moral, por edhe politik që kishte për synim procesin e ngadalësimit të depërtimi të Perandorisë Osmane në Ballkan.
Besëlidhja e Lezhës mori disa vendime, por më të rëndësishmet ishin: krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dh e para kundër Sulltan Muratit II.
Rëndësia e Besëlidhjes së Lezhës nuk qëndron vetëm në arritjen e një bashkimi të fisnikëve shqiptarë, që kishte qenë i munguar më parë, por edhe në krijimin e një aleancë politike ushtarake e cila bazohej në vendime demokratike nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Me krijimin e kësaj aleance armiqësitë mbi zotërimin e tokave do të ndaleshin apo do të i paraqiteshin lidhjes e cila me vendime në bazë të shumicës do t’i zgjidhte. Kjo arrihej me lehtësi pasi që të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës forcat e tyre ushtarake i kishin vënë nën komandën e Gjergj Kastriotit i cili ato sipas marrëveshjes do t’i fuste në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.
Rëndësia tjetër historike e Besëlidhjes së Lezhës është e karakterit gjithëkombëtar, sepse për herë të parë në mesjetën shqiptare shënohej një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të organizuar, me çka edhe, përkundër mangësive, fillonte tradita e shtetndërtimit të shqiptarëve.
Besëlidhja e Lezhës mund të rishqyrtohet edhe nga një këndvështrim tjetër, kur duam ta marrim atë si model të krijimit të kulturës së bashkëpunimit në mes të shqiptarëve mbi baza të pastra kombëtare, pa atribute politike e ideologjike. Kjo mund të vijë në shprehje sidomos në kohën e tanishme, kur aty këtu po manifestohen tendencat e deatomizimit të faktorit shqiptar në Ballkan. Paradoksalisht kjo po ndodhë 20 vite pas kthesës së madhe që u bë në Kosovë dhe në Maqedoni, ku për herë të parë shqiptarët me ndihmën e Perëndimit dhe NAT-os, u bënë pjesë e axhendave të suksesshme gjeopolitike. Kosova pas luftërave shekullore për liri e pavarësi, fitoi shtetin e pavarur, kurse shqiptarët, përmes luftës heroike të UÇK-së dhe me Marrëveshjen e Ohrit, u bënë faktor vendimmarrës në të gjitha segmentet e jetës institucionale e politike.
Po të nxirreshin mësime të vlefshme nga Besëlidhja e Lezhës, dhe klasa politike e Tiranës do të sillej më ndryshe, sepse kthimi i protestave përmes sloganeve anakronike të viteve nëntëdhjetë, tregon për mungesën e pjekurisë politike, si pasojë e kohezionit të pamjaftueshëm kombëtar në mes të elitave politike e intelektuale në Shqipëri.
Një popull manifeston pjekuri të admirueshme, vetëm atëherë kur elitat e tij dinë të sillen konform rrethanave që i dikton koha. Aktualisht në Kosovë kemi një shpërputhje të madhe në mes të interesave të përgjithshme kombëtare dhe kauzave politik për pushtet. Besëlidhja e Lezhës qysh para 576 vjetëve ishte angazhuar që princërit shqiptarë t’i lënë mënjanë hasmëritë e deridjeshme dhe të përqendrohen në sfidat madhor që i presin. Fatkeqësisht ky mesazh historik nuk po përfillet nga klasa politike në Kosovë, tek e cila ende dominon kauza për pushtet para interesit të përbashkët kombëtar. Ka rrezik që ky rivalitet i pakuptim në skenën politik të Kosovës të ndikojë në ftohjen e miqësisë tradicionale me Amerikën, e cila në momentet më të vështira është treguar aleati më besnik i kombit tonë.
Kultura politike e shqiptarëve në Ballkan është avancuar dukshëm dhe do të ishte anakronike të ndiqet modeli mesjetar i Besëlidhjes së Lezhës, për arsye se rrethanat kur ishte krijuar kjo Besëlidhje kanë qenë krejt të ndryshme nga aktualiteti i sotëm. Por, ajo që mund të merret si frymë e Besëlidhjes së Lezhës, do të ishte karakteri i organizimit mbipartiak, , me qëllim të një kohezioni më të madh kombëtar. Pikërisht mungesa e këtij kohezioni, ka krijuar në hapësirat shqiptare boshllëqe të theksuara në jetën publik shoqërore e politike, ku autoriteti moral i njerëzve të shquar është zbehur tej mase dhe me të madhe ndihet mungesa e profileve iluministe, siç ishin, bie fjala, Anton Çeta, Adem Demaçi, Sabri Godos etj, të cilët me pikëpamjet e tyre të drejtpeshuara rrezatonin unitet dhe përfarim brenda hapësirave ku ata vepronin.
Nëse dikur Besëlidhja e Lezhës bënte bashkimin shpirtëror e ushtarak të princërve shqiptar, do të ishte paradoksale që një bashkim i tillë të mos ndodhë edhe tani, por me një dimension tjetër kuptimor, ku shqiptarët në Maqedoni, bie fjali, të mos bëhen peng të pikëpamjeve kozmopolite që si synim ka krijimin e shqiptarit të ASNOM-it, me përfaqësim individual dekorativ dhe pa fuqinë e vendimmarrjes kolektive.
Tani kur po përkujtojmë 576 vjetorin e Besëlidhja e Lezhës, na imponohet natyrshëm edhe puna që aktualisht po kryen Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Në disa dimensione, këtë nuk e kemi kuptuar thjeshtë si punë, por edhe si mision, sepse bazat e mirëfillta të një shoqërie të formuar mbështeten në programet shkencor e kulturore të institucioneve.
Ajo që para 576 vjetëve konsiderohej si mision i Besëlidhjes së Lezhës e që kishte të bënte me bashkimin shpirtëror, hapësinor e ushtarak të princërve dhe principatave shqiptare, për ITSHKSH mund të thuhet se mision sublim është vendosja e parashenjave civilizuese oksidentale mbi identitetin shpirtëror e kulturor të shqiptarëve të kësaj hapësire administrative.
ITSHKSH nëpërmjet hulumtimit dhe ndriçimit të traditës së pasur iluministe të familjes Qiriazi, ka si pikësynim nxjerrjen në pah proamerikanizmin e shqiptarëve, i cili për herë të parë në trojet shqiptare depërtoi përmes Lëvizjes protestante, pjesë e së cilës ishte edhe familja Qiriazi.
Me hapjen e Departamentit për studimin e figurës së Nënë Terezës, duke hulumtuar edh traditën e pasur të familjeve katolike në Shkup dhe gjetiu, ITSHKSH, synon të artikulojë në përmasa edhe kombëtare edhe ndërkombëtare, kartën e identitetit civilizues të shqiptarëve, kurse me hapjen e Departamentit për studimin dhe edukimin e Holokaustit, ITSHKSH, ka si objektiv shpalosjen e shpirtit human e sakrifikues të shqiptarëve në rrethana të vështira, siç edhe ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore ku dhjetëra familje hebreje iu shpëtuan duarve vrastare të nazistëve në saje të mikpritjes dhe bujarisë së disa familjeve shqiptare të Shkupit dhe Kosovës.
Sa herë që përkujtojmë datat e rëndësishme historike, ajo që mbetet si udhërrëfim, nuk është vetëm regjistrimi i ngjarjeve në kronikën kohës, por edhe mundësia për të ngritur në shkallë më të lartë refleksin kolektiv kombëtar , varësisht nga momenti dhe rrethanat në të cilat ndodhemi. Për ta përmbyllur këtë vrojtim mbi Besëlidhjen e Lezhës, ajo që na imponohet si refleks i kohës është krijimi i një të ashtuquajturi Senat kombëtar i njerëzve me ide e pikëpamje të drejtpeshuara, të cilët do të ishin një ndihmesë e madhe për institucionet që të mos jenë peng i kurtheve që i ngre lufta e pakuptim për pushtet. Vetëm në këtë mënyrë do ta meritonim të jemi pasardhës të denjë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili para 576 e bëri atë që ne sot nuk po mundemi ta bëjmë – unitetin kombëtar pa kushte dhe pa ndërskamsa.

Shkup, 1 mars