97 kosovarë kanë mbetur në Siri, pse Kosova s’po mundet t’i kthejë?

Rreth 100 shtetas të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të mbesin në zonat e luftës në Siri e Irak. Shteti i Kosovës nuk e ka as në plan kthimin e tyre në vend. Koordinatori nacional kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, Fatos Makolli, thotë se tani për tani nuk ka plan për kthimin e tyre, meqenëse zona në të cilën gjenden ata kontrollohet nga organizatat terroriste. Sipas Policisë së Kosovës, aktualisht në këto zona gjenden 97 shtetas kosovarë, 44 prej të cilëve janë fëmijë

Arjeta Shabani

Derisa shumë kosovarë nuk e kishin as edhe një ide se çfarë është ISIS’i, të tjerë tashmë kishin filluar të luftonin nën flamurin e kësaj organizate terroriste. Madje, me kalimin e viteve, rruga e shtetasve të Kosovës drejt zonave të konfliktit u shpeshtua.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, brenda pesë viteve, zonave të luftës në Siri e Irak iu ishin bashkuar mbi 350 kosovarë.

Numri i tyre filloi të rritej edhe më shumë me lindjen e grave atje.

Sipas të dhënave zyrtare, në zonat e luftës u kryen 80 lindje nga gratë kosovare.

“…të lindur në zonën e konfliktit janë 80 fëmijë në SIRI-IRAK”, thuhet në përgjigjet e Policisë drejtuar Gazetës Express.

Por, rrugëtimi i disa prej kosovarëve atje nuk zgjati edhe shumë. Një numër jo i vogël i tyre u vranë disa ditë pasi arritën në këto zona, derisa të tjerë ia dolën të ngjiteshin në hierarkinë e kësaj organizate.

Vetëm pak kohë pas shkuarjes në Siri, Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi, arritën të bëheshin komandantë të ISIS’it, dhe ndërruan jetë si të tillë.

E pas disa vitesh qëndrimi në këto zona, ata që dikur udhëtuan me dëshirë për të luftuar për këtë organizatë, filluan të pendoheshin dhe kërkonin që të ktheheshin në vendin ku kishin lindur.

Kërkesa e tyre u përfill nga institucionet kosovare, dhe në prill të vitit të kaluar u mundësua kthimi i 110 prej tyre.

Por, në zonat e luftës ka ende shtetas të Republikës së Kosovës.

Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se aktualisht në Siri janë rreth 100 kosovarë, shumica e të cilëve janë burra dhe fëmijë.

“Sipas të dhënave që posedojmë aktualisht numri i kosovarëve qe dyshohet se janë në shtetin në fjalë është 97, prej tyre janë 8 gra dhe 44 fëmijë”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Ata duket se do të vazhdojnë të mbesin në këto zona edhe për një kohë të gjatë. Gjithë kjo, meqenëse institucionet e vendit as nuk e kanë as në plan kthimin e tyre.

Koordinatori nacional kundër ekstremizmit dhe terrorizmit në Kosovë, Fatos Makolli i ka thënë Gazetës Express se tani për tani nuk ka plan për kthimin e tyre në Kosovë, meqenëse zona në të cilën gjenden kontrollohet nga organizatat terroriste.

“Institucionet e Kosovës i kanë kthyer të gjitha gratë dhe fëmijët kosovar që kanë qenë në zonën e kontrolluar nga FDS, me përjashtim të dy fëmijëve dhe një gruaje që nuk kanë mundur të lokalizohen. Personat e tjerë gra dhe fëmijë janë në zonën e IDLIB në zona që kontrollohen nga organizatat terroriste. Prandaj, tani për tani nuk ekzistojnë rrethanat për një kthim të tyre nga ana e institucioneve”, ka thënë ai.

Duke folur për kthimin e një pjesë të kosovarëve në prill, Makolli ka thënë se kjo është bërë edhe me bashkëpunimin e forcave të Koalicionit Global, ndërsa thotë se në Idlib nuk ka ndonjë entitet legjitim me të cilin do të mund të bashkëpunonin.

“Dallimi është se në zonat e kurdëve ku ka vepruar SDF ka pas dhe forca të Koalicionit Global, dhe kemi mund të bashkëpunojmë për kthimin e kosovareve ndërsa në Idlib nuk ka ndonjë entitet legjitim”, ka deklaruar Makolli për Express.

Ndryshe, Kosova u bë një nga vendet e para në botë që i ktheu shtetasit e saj nga zonat e konfliktit në Siri. Mesnatën e 19 prillit, 110 kosovarë duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë u kthyen në Kosovë.

Një ditë pas kthimit të tyre, përmes një konference për media, ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se operacioni për kthimin e kosovarëve ishte bërë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tahiri tha se gratë dhe fëmijët që u kthyen nga Siria kishin qenë viktima të mashtrimit.

“Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë dhe këta fëmijë nëpër zona të konfliktit, e kanë vendin në shkolla për t’u edukuar mbi të ardhmen e tyre”, kishte deklaruar Tahiri para gazetarëve.

Të kthyerit nga Siria u vendosën në Qendrën për të Huajt në fshatin Vranidoll që gjendet në periferi të kryeqytetit. Aty u mbajtën për 72 orë, e më pas të gjitha gratë dhë fëmijët u lejuan që të ktheheshin pranë familjarëve të tyre.

Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

Shteti Islamik, i cili në vitin 2014 ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në pjesë të Sirisë dhe Irakut, është raportuar se ka humbur kontrollin në territorin e fundit në muajin mars të vitit të kaluar.

Ndryshe, muaj më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, u kishte bërë thirrje vendeve në Evropë që t’i marrin dhe gjykojnë luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik.

Qeveria e Kosovës kishte thënë atëbotë se do të veprojë njësoj si edhe shtetet e tjera anëtare të koalicionit global kundër Shtetit Islamik.