A DO TA VOTOJË PARTIA E RAMUSH HARADINAJT, ALBIN KURTIN PËR KRYEMINISTËR?

Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se partia e tij së shpejti do ta kenë një përgjigje nëse do të votojë ose jo në favor të formimit të qeverisë nga Albin Kurti.

Sipas tij, kjo parti, paraprakisht do të mbajë mbledhje të kryesisë dhe këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, për të vendosur lidhur me këtë çështje.

Por, siç thotë ai, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në të ardhmen, në parim, do të përkrahin Qeverinë, në rastet kur sillen vendimet e rëndësishme që kanë të bëjnë me të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës.

“Sa i përket projekteve që shkojnë në favor të Kosovës dhe forcimit të shtetit, Aleanca çdo herë ka treguar se i përkrahë me plotë mbështetje dhe që t’i fuqizojë të gjitha institucionet shtetërore. Mirëpo, do të jemi kritik në çdo moment, nëse qeveria e re – nëse formohet – dështon në forcimin e shtetit. Në dialog (me Serbinë) nëse bën kompromise që nuk shkojnë në favor të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, ne do të jemi fuqishëm kundër”, tha Lekaj për REL.

Ai ka shtuar që deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të marrin pjesë edhe në komisione për buxhetin e Kosovës dhe do t’i parashtrojnë kërkesat e tyre.

Siç thotë ai, partia e tij, do të insistojë sidomos për autostradën e Dukagjinit dhe projektet tjera që tashmë kanë qenë të parapara nga qeveria e kaluar.

Por, siç theksoi ai, AAK-ja nuk do të lejojë që çështja e miratimit të buxhetit të bëhet shkak që vendi të shkojë në zgjedhje.