A është i mundur modeli Albin Kurti në Maqedoni?

Efekti që prodhon modeli Albin Kurti në Maqedoni, është më i kapshëm nëse shndërrohet në frymëzim, por jo si kopjim. Sikur të tentojë dikush të merr në dorë daltën për të formësuar një model të ngjashëm, do ti duhet një “material” tjetër dhe jo ky që është aktualisht. ‘Albin Kurtët’ e Maqedonisë gabimisht i projektuan betejat e tyre politike, sepse ata luftonin për pashallëqe lokale. Në skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë Albin Kurti mund të vijë vetëm si jehonë e një diskursi që solli ndryshimin, si refleks i një efekti, por jo si model, sepse modelet janë unikate vetëm atëherë kur ndjekin rrugë autentike, specifike dhe të parrahura më parë. A ka në Maqedoni rrugë të tilla dhe kush duhet t’i rrahë ato?

Nga Emin AZEMI

A është e mundur rishfaqja e modelit të Albin Kurtit në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni? Kjo pyetje bëhet aktuale sidomos tani kur në Kosovë ndodhi një përmbysje totale e konfigurimit politik, së cilës i parapriu një përpjekje e pareshtur dhe pa kompromis e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin. Pak veta mund të dëgjoni të thonë se këtë përmbysje e bëri Lidhja Demokratike e Kosovës. Madje kjo e fundit deri dje ishte rivale e LVV-së dhe as që denjonte të merrte si model metodikën e saj të marrjes së pushtetit. Ajo konsideronte se e i mjafton filozofia e saj politike që buron në ‘rugovizëm’, për të qenë e përgatitur në betejat elektorale që do ta sillnin aty ku është tani.
Në Kosovë, ndryshimi erdhi për shkak se Lëvizja Vetëvendosje e kurorëzoi me sukses mobilizimin politik të masave, që rezultoi në një bilanc zgjedhor që i mjafton asaj, bashkë me LDK-në, të bëhet bartëse e proceseve politikbërëse në mandatet e ardhshme qeverisëse.
Çdo bilanc tjetër zgjedhor, madje edhe sikur LDK-në ta nxirrte në krye të procesit, nuk do të quhej ndryshim. Pikërisht kjo renditje e forcave politike në listën e fituesve dhe humbësve në këto zgjedhje, ku LVV del e para, krijon diferencën dhe e bën këtë proces zgjedhor historik për faktin se legjitimoi, përmes vullnetit popullor, një ndryshim të shumëpritur i cili nuk do të mund të ndodhte pa Albin Kurtin dhe ‘armatën’ e tij politike që sfidoi ‘epokën e komandantëve’ në kushtet e një vullnetarizmi të pastër, pa privilegjin dhe favorin më të vogël që e kishin aktivistët dhe lobistët e partive në pushtet.

KOPJIMI ËSHTË STËRKEQJE E MODELIT

Po në Maqedoni, a është e mundur rishfaqja e modelit të Albin Kurtit?
Së pari, nëse një model kopjohet, prodhimi që del nga ky kopjim nuk mund të jetë burim frymëzimi për ndonjë aksion të njëmendët politik.
Së dyti, skena politike e shqiptarëve në Maqedoni është aq inerte dhe aq jokreative, sa që çdo përpjekje për të kërkuar modelin Albin Kurti brenda kësaj skene, del karikaturë.
Së treti, opozitarizmi politik shqiptar në Maqedoni ka ndjekur një rrugë të çuditshme të dritë-hijeve, duke u bërë më tepër objekt betejash politike brendashqiptare, se sa një përpjekje serioze për të sfiduar partitë politike maqedonase. Si mund të instalohet modeli Albin Kurti në këtë batak idesh jetëshkurtëra?
Së katërti, mendimi opozitar shqiptar në Maqedoni nuk kaloi nëpër një zhvillim normal të debatit qytetar, ku do të përfshiheshin edhe grupe e individë, të pakënaqur me partitë në pushtet dhe për rrjedhojë, opozita shqiptare në Maqedoni në vend se të bashkohej, ajo u përça dhe u kapilarizua në interesa tepër të ngushta që binin ndesh me angazhimet dhe synimet për një alternativë të njëmendët politike.
Së pesti, politika shqiptare në Maqedoni nuk arriti ta ridimensionojë fuqinë ndikuese të intelektualëve në politikë. Kjo qasje tepër e ngushtë që kishte për bazë ekskluzivisht përshtatshmërinë dhe dëgjueshmërinë partiake në dëm të kapaciteteve intelektuale e krijuese shqiptare, i bëri dëm të pariparueshëm politikbërjes shqiptare në Maqedoni. Kjo zhveshje e politikës nga bagazhi intelektual i ndihmoi procesit të degradimit të ideve nga niveli i shteformimit në skema koniukturale që kushtëzoheshin prej marrëdhënieve politike të partneritetit shqiptaro-maqedonas brenda koalicioneve bashkëqeverisëse. Një skematizim i tillë i organizimit politik të shqiptarëve, solli surrogate të papëlqyeshme të teknologjisë së pushtetbërjes, duke nxjerrë në pah pragmatizmin partiak para kauzave afatgjate kombëtare dhe duke sjellë si model aktivistin me shkollë nate që caktonte fatet e ngritjes në karrierë të fakultetlinjëve.

VET OPOZITA I DOGJI KAUZAT ‘ALBINISTE’

Modeli Albin Kurti ka qenë dashur të ndodhë shumë më herët në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni. Mirëpo sa herë që bëheshim gati ta presim këtë model, në deriçkat e qeverive futeshin partitë opozitare shqiptare, të cilat saora digjnin kauzat ‘albiniste’ dhe shndërroheshin në flutura të djegura që jepnin shpirt posa binin në kontakt me kolltuqet e ngrohta të pushtetit. Mjaftonte një karamele kryeministrore për të joshur orekset e pashuara pushtetore të opozitarëve që nuk kishin synim ndryshimin e gjendjes por retushimin e saj.
“Albin Kurtët” e Maqedonisë gabimisht i projektuan betejat e tyre politike, sepse ata luftonin për pashallëqe lokale, njëri në Gostivar e tjetri në Strugë, duke e lënë një ‘terra incognita’ qëllimin final i cili mund të arrihej vetëm nëse mobilizimi politik kapte një gamë të gjerë njerëzish, idesh e veprimesh të guximshme, që do të udhëhiqeshin nga një qendër e vetme politike e shqiptarëve. Shkupi dikur ishte selia e diplomacisë dhe politikës mbarëkombëtare e Hasan Prishtinës dhe nuk kishte nevojë në vitet e mëvonshme të kërkohej ndonjë provincë për ta zëvendësuar atë. Nëse Dardania e dikurshme krenohej me Shkupin si kryeqendër, pse kjo të mos ndodhte edhe më vonë, dhe pse kjo të mos praktikohej nga ata që duan ta kopjojnë Albin Kurtin. Por si duket vetëm në formë, jo edhe në përmbajtje.

A është i mundur të ndodhë modeli Albin Kurti në skenën politike të Maqedonisë? Kjo është e mundur, nëse ndiqet një rrugë krejt tjetër, e parrahur deri më tani nga kopjuesit e politikave afatshkurtëra që opozitarizmin e këmbenin me një kolltuk ministror dhe , tre, katër poste drejtorësh.
Kjo është e mundur nëse gama e njerëzve të papërfaqësuar nëpër parti politike, sidomos moshat prej 25-35 vjeç, është më e gjerë dhe më dinamike se ambiciet afatshkurtëra që reduktohen brenda luftërave për pushtet, të ligështuar nga mungesa e etikës së përfaqësimit dinjitoz. Pushtetet e tilla të shqiptarëve në Maqedoni gjithmonë kanë tingëlluar si tenxhere të zbrazëta, që kanë lënë të uritur shumë kënd që ka pritur ndonjë ndryshim përmbajtësor.

ÇFARË KONKURRENCE I NEVOJITET BDI-së?

Nuk është e domosdoshme të ndiqet modeli i Albin Kurtit për të ndodhur këtu ndonjë ndryshim. Sepse modele të tilla jo vetëm se nuk ka, por edhe sikur të tentojë dikush të merr në dorë daltën për të formësuar një model të tillë, do ti duhet një “material” tjetër dhe jo ky që është aktualisht.
Mjafton të ngritët në një rrafsh më lartë përgjegjësie dhe bashkëveprimi kauza opozitare, e cila mobilizimin politik nuk do ta konsideronte vetëm si synim, por edhe si mision. Meqë ra fjala, Albin Kurti disa herë e kishte shansin të ulej në kolltuqet e ngrohta të qeverisë, por ai e refuzoi këtë në emër të një misioni afatgjatë që e kishte projektuar, jo për të ardhur me çdo kusht në pushtet, por për ta merituar pushtetin me moralin e njerëzve që luftojnë jo për mirëqenie individuale të kusherive dhe akrabave, por për vizionin e një shoqërie e cila u jep favore edhe atyre që jo domosdoshmërish duhet të jenë të lidhur me pushtetin. Një pushtet që të detyron të zëvendësosh diplomën universitare me librezën partiake, e meriton ta bësh kakën mu në maje të atij pushteti.
Efekti që prodhon modeli Albin Kurti në Maqedoni, është më i kapshëm nëse shndërrohet në frymëzim, por nëse shkohet me çdo kusht në kopjim, atëherë tentativat do të jenë të barabarta me rrahjen e ujit në havan. Sa i përket modeleve, shqiptarëve të Maqedonisë nuk iu kanë munguar në të kaluarën, duke filluar nga Skënderbeu e deri te Ahmet Zogu e Enver Hoxha, por sa herë që janë provuar të aplikohen në skenën e këtushme politike, kanë dalur të dështuar. Deri më tani kanë funksionuar vetëm ato organizime politike që kanë qenë rezultat i reinkarnimeve të mëparshme ideologjike e partiake, të cilat pastaj kanë rezultuar në një ngrehinë amalgamesh e prurjesh, siç është rasti me BDI-në e tanishme, prejardhja politike e ideologjike e së cilës buron sa në UÇK, po aq në LPK, në PPD, dhe më pak në PDSH dhe ndokund tjetër.
Ata që arrijnë ta konkurrojnë jo me formë por me përmbajtje BDI-në, jo me poza por me qëndrime, jo me bërryla por me tru, pa pasur nevojë të huazojnë kurrfarë modeli nga jashtë, do ti bënin një shërbim të madh kauzës kombëtare, por edhe vet Albin Kurtit, sepse ai më tepër ka nevojë për ndjekës që frymëzohen nga ai, se sa për kopjues të tij.
Në skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë Albin Kurti mund të vijë vetëm si jehonë e një diskursi që solli ndryshimin, si refleks i një efekti, por jo si model, sepse modelet janë unikate vetëm atëherë kur ndjekin rrugë autentike, specifike dhe të parrahura më parë.
A ka në Maqedoni rrugë të tilla dhe kush duhet t’i rrahë ato?