Ademi: Derisa opozita nuk arriti të bashkohet, si mund të mbrojnë interesin shqiptar?

BDI nuk është e shqetësuar nga koalicionet e mundshme të opozitës shqiptare, përkundrazi. Kemi kërkuar të mos shpërndahet votat shqiptare, prandaj të gjitha matjet e opinionit e parashohin BDInë si fitues, mirë e organizuar, e etabluar. E them se nuk shqetësohemi aspak nga ndonjë bashkim i mundshëm, që me gjasë nuk po ndodhë. Kështu në emisionin Rruga Drejt në Alsat-M ka thënë ministri i Arsimit, Arbër Ademi, ndërsa ka shtuar se synimi i opozitës shqiptare ishte vetëm shkatërrimi i BDI-së dhe jo ofrimi i duçkaje ndryshe.

“Na vjen keq, sepse nuk po krijohen dy blloqe shqiptare. Ky fragmentarizim rrezikon përfaqësimin si sasior, ashtu dhe cilësor në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Ne ju kemi bërë thirrje për bashkim edhe pse ne ju qëndrojmë karshi të gjitha partive. Kjo që po ndodhë në opozitë megjithatë është për të ardhur keq, sepse synimi ishte vetëm shkatërrimi i BDI-së dhe jo ofrimi i diçkaje ndryshe”, është shprehur Ademi. Pra, ka vijuar më tej ai, do të duhej të ndodhte një bashkim projektesh, programesh me interes parësor interesin e shqiptarëve dhe jo shkatërrimin e BDI-së. “Qëllimi parësor i opozitës duhet të ishte bashkim programesh dhe ofertash. Por, kështu siç ka nis, kur nuk arrijnë të bashkohen, si mund të mbrojnë interesin shqiptar”, u shpreh Ademi.