Afet Mamuti: Në Prishtinë, Vlera e paqes globale është vlerë jona nacionale

Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur konferenca rajonale e organizuar nga Federata e Paqes Universale dhe Federata e Gruas për Paqe Botërore, ku morën pjesë personalitete të shquara nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet tjera të botës.

Domosdoshmëria e bashkëpunimit-sfidë dhe nevojë për integrim” është tema që po diskutohet në këtë konferencë, ku si shumë e rëndësishme u theksua bashkëpunimi dhe bashkëjetesa mes fqinjëve, sidomos popujve në rajon.
Në punimet e kësaj konference, prezantimi në Konferencën Rajonale të “Federatës për Paqë Universale” në sallën plenare të Parlamentit të Kosovës, mbajti një fjalë rasti edhe Afet Mamuti, i cili theksoi vlerën e paqes, vlerën e fqinjësisë por edhe të mikpritjes shqiptare.

Ai ka theksuar se vlera e paqes globale është në ADN-në e shqiptarëve, që mëtojnë, punojnë dhe janë të përkushtuar për paqen. Këtë e konfirmojnë personalitetet e historisë së kombit shqiptar të cilët vlerën e paqes e promovuan, e mbrojtën dhe përcaktuan në fokus të jetës e veprës së tyre.

Fatmir Sejdiu, i cili ishte president i Kosovës në periudhën 2007-2010, foli për rëndësinë e bashkëpunimit brenda vendit, dhe jashtë tij.
Ai tha se një nga pikat themelore që Kosova ka pas në politikën e jashtme dhe të brendshme, është të gjendet një rehati shpirtërore reale për qytetarët e saj dhe të shembet ideja e dikurshme që pavarësia e Kosovës do të destabilizojë rajonin.
E Binak Ulaj, kryetar i Federatës së Paqes Universale të Kosovës, tha se Kosova ka bashkëpunim funksional me shtetet e rajonit, por jo edhe me Serbinë. Sipas tij, me institucionet e Serbisë është ende larg rrjedhave integruese meqë krerët politik në Beograd nuk kanë gatishmëri për këtë.
Ai tha se për Beogradin zyrtar, bashkëpunimi është vetëm përmbushje e detyrimeve ndaj mekanizmave ndërkombëtar, e jo vullnet i lirë i tyre.
Sipas tij, krerët politik të Beogradit nuk kanë hequr dorë nga politika që bie ndesh me parimet e të drejtës ndërkombëtare, dhe me nevojat e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë.
Ulaj përmendi edhe deklaratën e kryeministres serbe, Ana Brnabiq, e cili ka thënë se “shqiptarët janë njerëz që zbritur nga mali”.
E sipas tij, deklarata të tilla dëshmojnë se krerët e institucioneve në Beograd në mendje dhe zemër i kanë ende projektet kundër-shqiptare të gjysmës së shekullit 19 e këndej.
Në këtë konferencë ka folur edhe Alfred Moisiu, i cili mbajti postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 2002-2007.
“Qëllimi ynë është për t’i afruar të gjithë në mënyrë që të bashkëjetojmë ashtu siç na ka dhënë Zoti një tokë. Dhe, ne shqiptarët përdorim një shprehje, shokun dhe mikun mund ta zgjedhësh, por fqinjin ta jep Zoti. Pra të bashkëjetojmë, të kombinojmë, të jetojmë, ky është qëllimi ynë për të cilin uroj të keni suksese në këtë konferencë dhe të arrini atë që duam”, tha ai.