Ahmeti i përgjigjet Zekirit: Nuk je legjitim, Zaev: Në LSDM ka njerëz që duan të jenë në koalicion me BDI-në

The head of Democratic Union for Integration, Ali Ahmeti speaks during an interview for Reuters in Tetovo, Macedonia March 7, 2017. REUTERS/Ognen Teofilovski

Nënkryetari LSDM-së Muhamed Zekiri mbrëmë në emisionin Click Plus tha se gabimin më të madh që ka bërë LSDM-ja është përkrahja që i ka dhënë BDI-së në zgjedhjet e kaluara lokale dhe se nuk e dëshiron më BDInë në koalicion.

“Për zgjedhjet lokale, unë thash, gabimi më i madh i LSDM-së dhe që i kemi dëshpëruar një pjesë të votuesve shqiptarë të LSDM-së, është pikërisht ndihma që i kemi dhënë BDI-së, në zgjedhjet lokale, dhe dua t’i rikujtoj qytetarët, unë edhe publikisht kam qenë kundër dhe e dinë që një ditë para zgjedhjeve lokale”, u shpreh Muhamed Zekiri.

Por lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se Zekiri nuk është përfaqësues legjitim i politikave të LSDM-së.

“Muhamed Zeqiri mendoj qe nuk është përfaqësues legjitim i politikave të LSDM-së. Koalicioni funksionon. Raportet e mira dhe të qëndrueshme janë mes kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev dhe liderit të BDI-së si dhe organeve të partisë. Funksionojmë në kuadër të normalitetit. Sigurisht që dallime mund të ketë edhe për csjtje të ndryshme në parim , por në substancë gjërat shkojnë në drejtim të duhur”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Tv21 pyeti për koment edhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev në lidhje me qëndrimet e Zekirit kundrejt BDI-së. Ai tha se në LSDM ka njerëz që duan të jenë në koalicion me BDI-në, por se ende nuk kanë sjell ndonjë vendim.

“Ai nuk thekson se nuk dëshiron ose nuk dëshirojnë, sepse në LSDM ka edhe njerëz që duan, kështu që në fund ne do ta sjellim vendimin. A e dini se çfarë është gjëja më satirike në fund? Qytetarët na tregojnë në zgjedhjet, qytetarët me votat e tyre do të na drejtojnë në disa gjëra, kështu që numrat janë të padiskutueshëm, ata numrat do të konfirmojnë se si duhet të bashkëpunojmë. Ne kishim bashkëpunim të shkëlqyer edhe me partitë shqiptare opozitare për çështjet më të rëndësishme, të mos harrojmë. Edhe sot ata janë të gatshëm të bisedojnë për Ligjin e PP-së, që nuk është rast me opozitën maqedonase”, tha Zoran Zaev.

Ndryshe Muhamed Zekiri mbrëmë në Click Plus gjithashtu tha se të gjithë në kryesinë e partisë së tij, e kanë kuptuar se ai ka pasur të drejtë kur ka kundërshtuar bashkëpunim me BDI-në. Sipas tij BDI nuk është më e denjë që t’i përfaqësojë shqiptarët.

Cila parti është e denjë për ti përfaqësuar shqiptarët ?

“Çdo parti tjetër që nuk është BDI”, tha Muhamed Zekiri.