Ahmeti: Opozita të bashkohet që të mos përsëritet gabimi i 2016-ës

Edhe përkundër krizave politike që ka kaluar vendi, BDI ka arritur të realizojë dy synimet historike, zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe dhe anëtarësimin në NATO. Kështu theksoi kreu i BDI-së Ali Ahmeti nga Çairi ku sërish i bëri apel opozitës që të bashkohet për të mos u përsëritur gabimi i vitit 2016 ku shqiptarët humbën disa mandate deputeti.

“Me rëndësi është që shqiptarët të jenë krenar, me rëndësi është që shqiptarët të respektohen dhe të nderohen ashtu siç janë me histori dhe identitet, por jo të përfaqësuar nga gjashtë apo shtatë delegacione. Prandaj ne ju kemi bërë thirrje të gjithë të tjerëve dhe rrallëkush ka kryetar apo parti që ju bën thirrje të tjerëve për urtësi e qetësi, bashkohuni dhe na fitoni, por të mos humbin shqiptarët. Hapur e kemi thënë se në zgjedhje shkojmë vetë, të vegjlit mund të bashkohen sepse janë të vegjël, por ama të mos krijojnë iluzion se do ta fitojnë BDI-në”, deklaroi Ahmeti.

Kreu integrist, theksoi se të gjitha anketat e nxjerrin BDI-në fitues dhe se qëllimi në këtë mandat do të jetë anëtarësimi i plotë në BE. Këto komente Ahmeti i bëri gjatë llogaridhënies që pati para banorëve të kësaj ane, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.