Ahmeti: Xhevat Ademi është viktimë e thashethemeve

Çështja e deputetit Xhevat Ademi më tepër është bërë problematike nga mediumet. Xhevat Ademi nuk është ai që ka bërë veprimin andaj duhet pritur që organet e rendit ta thonë fjalën e tyre. Kështu ka komentuar sot kreu i integristëve Ali Ahmeti, rastin e Xhevat Ademit, i cili, nga prindi i të plagosurit Jusuf Bilalli, u akuzua se ai ka kryer veprën.

Janë organet e drejtësisë, janë organet e rendit dhe ata duhet ta thonë të vërtetën se si ka ndodhur ngjarja. Askush nuk do as të vras djalin e as të vras mikun dhe të paktën Xhevat Ademi, nuk është ai që e ka bë veprimin, por, kjo është çështje që duhet ta thonë organet e drejtësisë. Xhevat në këtë rast më tepër është viktimë e thashethemeve”-tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Sa i përket situatës aktuale politike në vend, Ahmeti tha se BDI ka qëndrimin e saj të prerë, respektimin e Ligjit ëpr prokurorinë Speciale dhe veprimet, sipas Ahmetit, duhet të jenë konform kornizave të këtij ligji dhe institucioneve të drejtësisë, me qëllim që ngjarjet e fundit të mos kenë ndikim apo pasojë në rrugën e eurointegrimeve.

BDI ka qëndrim të prerë, që duhet të respektohet Ligji mbi prokurorinë speciale dhe të veprohet konform kornizave të Ligjit mbi prokurorinë, i dakorduar mes gjitha palëve, aktorë të ngjarjeve të para tre katër vitesh që u zhvilluan në vend dhe ne kërkojmë që ky Ligj të respektohet. Çdo devijim nga ky Ligj, ka pasoja për Vendin dhe sistemin juridik të republikës sonë. Unë mendoj që ky zhvillim nuk do të ketë ndikim dhe pasoja për marrjen e datës për negociatat për BE-në”-pohoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kreu i BDI-së, Ahmeti këto komente i bëri pas mbledhjes së sotme të kryesisë së partisë, ku është diskutuar mbi situatën aktuale politike në vend dhe zgjedhjet brenda partisë për kongresin e radhës të saj.