Aktivitetetet përgatitore për manifestimin përkujtimor dedikuar heroit Naser Veliu po shkojnë drejt fundit

Këshilli organizativ i manifestimit përkujtimor të 30 vjetorit të rënies së heroit të kombit Naser Veliu, po finalizon provat e aktiviteteve të parapara për ditën e manifestimit më 15 mars.

Pjesë e aktiviteteve të zhvilluara gjatë fundjavës është bërë edhe solistja gostivarase Hava Bekteshi nga Korita e Gostivarit e cila jeton dhe vepron në Hamburg të Gjermanisë por që bota e njeh si shqiptaren e cila promovoi çiftelinë në filarmonitë botërore.

Imran Zhupani nga Këshilli organizativ, duke raportuar për aktivitetet e deritanishme të Këshillit, tha se ndjehet i nderuar nga prezenca e Bekteshit, e cila me prezencën e saj ua shton madhështinë punimeve të Këshillit.

Sinan Zylbehari nga SHKA “Lulet e malësisë” , njëherit edhe përgjegjës i programit artistik të manifestimit, ka bërë të ditur se për ditën e manifestimit përveç programit të paraparë artistik, po përgatitet edhe një këngë dedikuar heroit të kombit Naser Veliu, e cila është nga përfundimi.

Në shenjë falemenderimi për kontributin e dhënë në promovimin e folklorit shqiptar, drejtuesit e SHKA “Lulet e Malësisë”, i kanë dhuruar solistes Hava Bekteshi një çifteli, të cilën Bekteshi e ka cilësuar si dhuratën më të mirë që ka pranuar deri më tani me shpresën që nëpërmjet saj ajo të arrijë edhe suksese të tjera në skenën ndërkombëtare.

Ndryshe, më 15 mars në Gostivar do të mbahet një manifestim përkujtimor, me çrast në 30 vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit Naser Veliu, do të përkujtohet jeta dhe vepra e tij.