Ali Ahmeti me dedikim emocional për shokun e tij, Kadri Veselin i cili mori ftesën për gjyq

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i bindur në fitoren e Kadri Veselit përball padrejtësive që ngrit gjyqi në Hagë, me dedikim shumë emocional, e quan ftesën e gjyqit të padrejtë dhe beson në ngadhënjimin e tij.

Ali Ahmeti, personalitet i shquar i lirisë dhe çlirimit të shqiptarëve në ish Jugosllavi, duke qenë pjesëmarrës aktiv në çlirimin e Kosovës, Preshevës dhe luftës në Maqedoninë e Veriut, jeta e ofroi me personalitete të shquara.

Një ndër këto personalitete të afërta me z. Ahmeti është edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili dje mori ftesën për gjyqin apo Dhomat e specializuara, që do të merret me trajtimin e krimeve gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.

Ai ka bërë një dedikim tejet emocionalë për mikun e tij të luftës dhe paqes, duke e quajtur vëlla. Z. Ahmeti ka potencuar si vijon: “E di që edhe ti, si edhe unë, edhe një jetë po ta kishim, do ta bënim të njejtën, pa ndryshuar pikë as presje, pa na u dridhur qerpiku, e as pa u menduar as edhe një herë të vetme”.

Ja postimi i plotë i Z. Ahmeti:

I dashur vëlla Kadri, bashkëveprimtar, bashkëluftëtar, bashkëmendimtar, shoqërues dhe bashkëndërtues i rrugës sonë të përbashkët për liri, pavarësi, demokraci.
Na paska qenë e shkruar, jo nga Perendia, por nga hasmi, ai i dituri dhe ai i strukuri, që çdo ditë të lume ta dëshmojmë pastërtinë dhe dinjitetin e luftës tonë çlirimtare nga zgjedha e kasapit të Ballkanit.
E nga Perendia na qenka përcaktuar detyrimi që t’i bëjmë ballë shpifjeve, denigrimeve, nënçmimit, propagandës dhe lajmeve të rreme nga ai i dituri edhe ai i strukuri në mënyrë që ta mbrojmë dinjitetin e luftës, e çdo pike gjak të derdhur, e çdo plage, të secilit dëshmor, martir dhe invalid, të çdo istikame, të çdonjërës shkrepje, të secilit lot të derdhur nga sytë e nënave tona.
E di që edhe ti, si edhe unë, edhe një jetë po ta kishim, do ta bënim të njejtën, pa ndryshuar pikë as presje, pa na u dridhur qerpiku, e as pa u menduar as edhe një herë të vetme.
Kjo është padrejtësi, por ti do të ngadhnjesh ndaj saj ashtu siç bashkë ngadhnjyem në luftën tonë të drejtë.