Altin Mici vesh Saimir Pirgun në turneun botëror

Cilësuar nga mediat e huaja si “Pavarot i ri”, tenori shqiptar Saimir Pirgu vazhdon rrugëtimin drejt suksesit në çdo skenë të huaj.

Së fundmi ai po vazhdon turneun e tij botëror që përfshin Europën, Amerikën, Azinë, dhe momentalisht ndodhet në Vjenë duke performuar shfaqjet e tij të cilat kanë ngritur publikun në këmbë duke bërë krenarë çdo shqiptar.

Gjithmonë ka ditur të promovojë jo vetëm vlerat e tij si artist por edhe vlerat njerëzore, duke promovuar kulturën shqiptare në botë e duke u bërë pjesë e fushatave të ndryshme,  një ndër to ishte dhe “Ngjyrat e Shqipërisë”.

Ndryshe nga personazhet e tjerë të njohur nëpër botë, Pirgu nuk ka zgjedhur të vishet me firmat e njohura botërore por ka vendosur që në turneun e tij botëror të promovojë stilistin shqiptar Altin Micin.

Elegant, shik dhe i kuruar në detaje, veshja e tenorit arrin të konkurojë dhe markat më të njohura të botës. Rezultatet e një pune të kënaqshme Pirgu i ka ndarë edhe me ndjekësit nëpërmjet fotove të publikuara në rrjetet sociale.

Pra tani e mësuam se kujt i besoi tenori shqiptar veshjen e tij, një shqiptari që është kaq i talentuar dhe mundet të jetë në të njëjtin nivel me stilistët e tjerë botërorë.