AMBASADORJA E SHBA-SË, BËRNS: KËTO TRE VITE KISHTE PËRPARIM NË AGJENDËN REFORMUESE

Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kejt Bërns, në rrjetin social fejsbuk, ka shkruar se përbërja e nëntë parlamentare, e cila u shpërbë gjatë ditës së djeshme, ka arritur përparim në agjendën reformuese në tre vitet e fundit.
Votimi i disa ligjeve, mes të cilëve Ligji për Prokurori, për mbrojtje, për gjuhë, sipas ambasadores ka ndihmuar në sigurimin e të ardhmes transatlantike të vendit.
“Si përfundim të përbërjes së nëntë parlamentare në historinë e Maqedonisë së Veriut, do të doja të pranoj avancimin e dukshëm që është arritur në tre vitet e fundit. Kjo përfshinë ratifikimin e protokollit për NATO, ratifikimin dhe hapat për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, ratifikimin e Marrëveshjes për fqinjësi me Bullgarinë, si dhe miratimin e ligjeve për Agjencinë nacionale për siguri dhe Agjencinë operative teknike, Ligjin për gjuhët, ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për mbrojtje, Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi dhe Ligji për prokurori publike. Këto arritje tregojnë përkushtim të Maqedonisë së Veriut për agjendën reformuese, në favor të qytetarëve të saj dhe të ndihmojnë në sigurimin e të ardhmes transatlantike të vendit”, ka shkruar Bërns në fejsbuk.