Analistët: Asnjë gjasë që kandidatët e pavarur të bëhen deputet

Njohësit e proceseve politike në vend thonë se shanset që një kandidat i pavarur të fiton post deputeti në zgjedhjet e 12 prillit është e barabart me zero, edhe pse deri më tani askush nuk ka paralajmëruar kandidaturë të pavarur për deputet.

Për tu kandiduar si i pavarur për zgjedhjet e 12 prillit, duhet që së paku ai kandidat t’i mbledhë 1000 nënshkrime në atë njësi zgjedhore në të cilën kandidon.

Analisti politik, Faton Aliti për Zhurnal thotë se është dëshmuar disa herë se pavarësisht kualitetit të kandidatëve të pavarur, pa përkrahje të partive politike, suksesi i tyre është shumë i vështirë.

“Para së gjithash për arsye të kapacitetit që mund të ofrojnë për zbatimin e vizioneve të tyre si individ, e pastaj edhe për arsye të hapësirës së vogël mediatike që marrin. Si shembull krahasues mund ta marim kandidaturën e profesorit Reka për President të shtetit, i cili edhe përkrah bagazhit të tij të jashtëzakonshëm, nuk pati guximin të kandidojë pa përkrahje politike”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik, Faton Aliti.

Nga ana tjetër, Arben Llalla, opinionist, thotë se nuk beson që do kandidojë ndonjë kandidat i pavarur në kampin shqiptar. Sipas tij mjedisi politik në Maqedoninë e Veriut është se edhe me parti të re të themeluar nga individë me kapacitete intelektuale dhe ekonomike ka treguar se kanë dështuar.

“Pra, kanë fituar vota por nuk kanë mundur të nxjerrin asnjë deputet si në rastin e Imer Selmanit, Bardhyl Mamutit, Hysni Shaqirit, Alajdin Demirit, Harun Aliut, Kastriot Haxhirexha, etj. Edhe këtë herë asnjë kandidat i pavarur nga kampi shqiptar nuk do fitojë nëse konkurs në këto zgjedhje. Maqedonia është një shtet i vogël dhe nuk ka hapësirë për shumë parti, mendoj se ka ardhur koha që shqiptar të kenë maksimumi tre parti me qëllimin e mirë që mos të humbin votat dhe mos të bjerë numri i deputetëve”, ka deklaruar për Zhurnal, Arben Llalla, opinionist.