Angela Merkel “rrëzon” Ilir Metën: Shqipëria ka plotësuar shumë nga kërkesat tona, ka ardhur koha të hapim negociatat

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë dje sinjale të qarta se në maj mund të kemi hapje negociatash për Shqipërinë. Të enjten ishte Komisioneri për Zgjerim ai që ngjalli shpresë, ndërsa kancelarja Merkel e ka bërë të qartë se nuk ka më asnjë justifikim për të penguar integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Deklaratat e saj u bënë gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar dje në Zagreb, në krah të kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ku diskutuan edhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, tha kancelarja gjermane, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me dy vendet.

Ndërsa, duke sjellë në vëmendje takimin në tetor, ku u vendos dhe shtyrja e vendimit për hapjen e negociatave, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do ta trajtojmë çështjen edhe në samitin e Këshillit të BE-së në Bruksel, në muajin mars.

Merkel goditje Metës

Por deklarata e kancelares gjermane Angela Merkel duket se në një farë mënyre ka hedhur poshtë pretendimet e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Ky i fundit në një intervistë televizive të enjten, u shpreh se nuk ka gjasa që Bashkimi Europian të hapë negociatat me Shqipërinë në maj, pasi sipas presidentit Meta, vendi ynë nuk i ka plotësuar 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman, të vendosura në shtator të 2019. “Negociata mund të hapen në qoftë se do të ketë një angazhim se ato kushtet e Bundestagut të adresohen në një mënyrë shumë të shpejtë dhe jo duke i zvarritur. Me këtë ritëm unë nuk shikoj ndonjë perspektivë serioze për në maj”, deklaroi Presidenti i Republikës Ilir Meta. Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel e kundërshtoi në çdo fjalë presidentin Meta. Merkel teksa u shpreh pozitive për hapjen e negociatave, në fjalën e saj ajo vlerësoi punën që ka bërë Shqipëria, duke specifikuar reformën në drejtësi. Gjithashtu, e bindur, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Shqipëria i ka plotësuar kushtet duke e afruar atë pranë “po-së”, dhe miratimit nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, duke përfshirë dhe vendet skeptike, Franca, Holanda dhe Danimarka. Kujtojmë se këto tre shtete, me në krye Francën, ishin vendet që deklaruan hapur se nuk e pranonin hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke “detyruar” të shtyjnë datën e dhënies së vendimit. “Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e Vetingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat”, tha kancelarja Merkel. Gjithashtu, kjo e fundit solli në vëmendje dhe procesin e Maqedonisë së Veriut, duke e vlerësuar. Kancelarja Angela Merkel tha se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kushtet, duke theksuar se e vetmja gjë që e pengonte për të marrë përgjigjen pozitive nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, ishte arritja e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit. Kujtojmë se para takimit të bërë më 18 tetor, Maqedonia e Veriut ndërroi emrin, duke përmbushur kushtet që e drejtojnë tek BE-ja.

Takimi i tetorit

Në javën e tretë të tetorit të kaluar, samiti i Bashkimit Europian zhvilloi takimin për të diskutuar hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në. Ndonëse këtyre dy vendeve i ishin dhënë shpresa se do të hapen negociatat, Franca, Danimarka dhe Holanda kundërshtuan, duke vendosur majin si takimin e radhës për të vendosur.