Ansambli i Këngëve dhe Valleve Kemajl Azizi-Viti vlerësohet me mirënjohje në Greqi

Vlerat kulturore artistike ka shumë vite që vazhdojnë të ruhen e kultivohen bukur nga një prej ansambleve më të mira në Kosovë siç është Ansambli i Këngëve dhe Valleve Kemajl Azizi në Viti. Ata vetëm pak ditë më parë janë kthyer nga Greqia nga ishulli Thassos ku ata morën pjesë në Festivalin Internacional të Valles duke shkëlqyer edhe këtë herë. Ky Festival nuk ka pasur karakter garues por për të shpallur vlerat kulturore të çdo vendi pjesmarrës ku përveç Kosovës ishin edhe shtetet e tjera si: Bullgaria, Serbia, Kroacia, Ukrahina, Greqia, Rumania, Mauritius. Ky ansambël përbëhet nga gjenerata të ndryshëm artistësh dhe ka shumë sektorë si atë të Valles, Këngës Popullore e Folklorike, Orkestër dhe Trupës Profesionale “Oktet”. Në shumë festivale qoftë kombëtare dhe ndërkombëtare ata gjithmonë janë vlerësuar me çmimet më të larta e tashmë ky ansambël është pjesë e Organizatave Ndërkombëtare të Folklorit dhe në Greqi sapo janë shpërblyer me mirënjohje dhe falenderimi nga organizatorët e tij. Mësojmë se drejtor i këtij Ansambli është Adnan Zenuni e menaxher Arsim Abazi e ku kudo ku kanë qenë janë nderuar me çmim ndërsa e veçanta e pjesëmarrjes së tyre në Greqi ishte se u valëvit flamuri i Kosovës ndërsa udhëtimin e sponsorizoi zyra e Kryetarit Sokol Haliti në Viti dhe vizat u siguruan falas nga zyra ndërlidhese e Greqisë në Prishtinë.