Ansambli Nacional shfaqi me sukses koncertin për “Trio Zajazin” në Kërçovë

Mbremë Ansambi Nacional u prezantua me suksesin e radhës. Koncerti për “Trio Zajazin” ndonëse në rrethana pandemike, në Pallatin e Kulturës në Kërçovë mblodhi artdashësit, profesorët, artistët e qytetit që ishin të ftuar me ftesa speciale për të ndjekur këngët më të bukura të intepretuara nga Rexhep Zajazi që në vitin 1946. Koncerti tematik u shfaq në 25 vjetorin e ndarjes nga jeta të Rexhep Zajazit i cili këngën kërçovare e ritmizoi dhe e nxori jashtë kufinjëve të lokalitetit duke e bërë të njohur në gjithë ish- Jugosllavinë. Ky koncert është i pari dedikuar “Trio Zajazit” dhe këtë më së miri mund ta bëjë një institucion siq është Ansambli Nacional tha kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari në fjalën e hapjes. Kryetari Dehari u shpreh i lumtur që përkundër situatës të rënduar me pandeminë Shkodran Tolaj artisti që i fali shumëçka Kërçovës në aspekt artistik e kombëtar, tenori mbarëkombëtar, artisti i madh dhe drejtori i palodhshëm e solli këtë eveniment të rrallë duke dhënë shpresë se arti arrin të tejkalojë çdo vështirësi. Para fillimit të programit artistik u shfaq dokumentar i shkurtër për karakteristikat e “Trio Zajazit”
Programin e prezantoi Avni Qahili duke ftuar fillimisht dy kavallistët kërçovarë Ardi Osmanin e Mexhait Ramadanin si të ftuar special kurse më pas u prezantuan solistët e ansamblit: Salajdin Miftari, Zekirija Lamallari, Kastriot Latifi, Jetmir Rexhepi, Besarta Murtezani, Era Azemi, Agron Kalisi të cilët sollën “Në bafçe na ka ra bryma”, “Xullufet e Ajshes”, “Po të bëj rixha”, “Trëndafile”, “Udhës së shollanit”,
“Kur jam kanë 12 vjet”, “More djalë i mejdanit”. Në fund u shfaq vallja “Trashëgimarët e Uskanës” ku kishte elemente të dokeve e zakoneve bashkë me motivet e këngëve “Shtatë bilbilat”, dhe “O dy te mejrat në një katun”. Kjo konsiderohet vallja e parë profesionale e nivelit koreografik me motive kërçovare.
Në fund drejtori i Ansamblit Shkodran Tolaj falemnderoi të gjithë artistët për punën e palodhshme në realizimin e këtij programi dhe gjithë sukseseve në këtë periudhë të vështirë me shpresë se do takimet e radhës do të bëhen në kohë shumë më të mirë!