Arabia nuk e njeh emrin kushtetues të Maqedonisë (DOKUMENT)

Mbretëria e Arabisë Saudite nuk e njeh emrin e ri Kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky konstatim del nga vizat e lëshuar për pjesëtarët e komunitetit mysliman nga Maqedonia e Veriut, të cilët do të udhëtojnë këtë vit në UMRE (vizitë vendeve të shenjta). Në vizat e lëshuara nga Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, në grafën ku shkruhet shtetësia e “nijetliut” të UMRES, shkruan Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, edhe pse kërkesat për viza bëhen sipas dokumentacioneve dhe procedurave që i referohen emrit Kushtetuese Republika e Maqedonisë së Veriut.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) për gazetën KOHA thonë se për rastin konkret do të reagojnë te organet gjegjëse në Mbretërinë e Arabisë Saudite që të korrigjohet ky gabim diplomatik. “Ministria e Punëve të Jashtme menjëherë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare me Greqinë, i ka informuar të gjitha shtetet me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut ka vënë marrëdhënie diplomatike për të ndryshimin e emrit Kushtetues. Për rastin konkret, Ministria e Punëve të Jashtme përsëri do ti njoftojë organet e Mbretërisë së Arabisë Saudite që ti përmbahen informacioneve dhe kërkesave tona”, deklarojnë për KOHA nga Ministria e Jashtme.