Arifi: Tradicionalisht komunat apo njësitë e vetqeverisjes lokale kanë qenë dhe mbeten dera e parë në të cilën troket qytetari

Tetovë, 27 janar 2020 – “Tribunë mbi Digjitalizimin e shërbimeve publike

Sot koha dhe mënyra se si e harxhojmë atë, janë treguesi më fundamental dhe global përmes të cilit e vlerësojmë angazhimin dhe rendimentin tonë në punë, shoqëri dhe familje. Efiçenca jonë definohet me atë se sa kohë harxhojmë për të arritur qëllimet dhe objektivat që duam. Kohën nuk mundemi ta blejmë, por gjithësesi se mundemi ti zgjedhim mënyrat se si atë ta shpenzojmë, duke vepruar gjithnjë në drejtim të mirëqenies tonë individuale dhe kolektive.

Tradicionalisht komunat apo njësitë e vetqeverisjes lokale kanë qenë dhe mbeten dera e parë në të cilën troket qytetari për ti adresuar dhe realizuar nevojat, respektivisht të drejtat që i takojnë. Përmes mundësive që i kemi sot, është imperativ i kohës të gjejmë mënyra sa më inovative si ta sjellim institucionin sa më afër qytetarit, e jo qytetarin drejt institucionit.

Duke ndjekur trendet, politikat si dhe praktikat shtetërore në drejtim të qasjes së lirë dhe sa më të shpejtë në informata dhe ofrimin e shërbimeve kualitative elektronike, Komuna e Tetovës ka punuar dhe vazhdon të punojë në digjitalizim të plotë të punës dhe shërbimeve që janë në funksion të rritjes së kualitetit të jetës së qytetarëve.

Komuna e Tetovës tani më ka funksionalizuar disa module të bazuara në ueb (web) si që janë web faqja zyrtare, moduli EKO-Tetova dhe http://xn--uneprtetovn-2bbg.com/, përmes të cilave dukshëm kemi thjeshtësuar qasjen dhe kemi ofruar komunikim të dyanshëm mes qytetarit dhe komunës. Gjithashtu do të buxhetojmë dhe do të fillojmë me implementimin e sistemit DMS (Document Management System) i cili do të mundësojë digjitalizim të plotë të procedurave komunale, duke menjanuar praktikat e panevojshme burokratike, përmes qasjes elektronike, gjë që do ta bëjë shumë të lehtë identifikimin e anëve e forta dhe të dobta, pra mundësive dhe rreziqeve në punën dhe efikasitetin e institucionit. Në këtë mënyrë menaxhmenti vendimarrës ka të dhëna shumë të sakta se ku punët rrjedhin ashtu siç dëshirojmë e ku kemi ngecje.

Në web-faqen e komunës gjithashtu kemi integruar modulin ku qytetarët munden të raportojnë në mënyre shumë konfidenciale rastet eventuale të korrupsionit si dhe kemi azhuruar në formë elektronike të gjitha dokumentet dhe kërkesat që kanë të bëjnë me shërbimet e ndryshme publike në fushën e financave, urbanizmit, veprimtarisë komunale si dhe mbrojtjes së ambientit jetësor.

Moduli Eco-Tetova është një mundësi tjetër ku qytetari shumë shpejt dhe në kohë reale mundet të paraqesë rastet e ndotjes së ajrit dhe ambientit jetësor, përmes plotësimit të një forme elektronike apo duke thirrur në numrin e telefonit pa pagesë, enkas për këtë qëllim. Ky modul elektronik përveç mundësisë për reagim të shpejtë nga ana e inspektoratit komunal, ofron edhe transparencë të plotë për rastet e paraqitura për të cilat jemi të obliguar të veprojmë në drejtim të parandalimit të tyre si dhe sanskionimit sa më efikas të kundërvajtësve apo qytetarëve të pandërgjegjshëm.

UnëPërTetovën është gjithashtu një modul i bazuar në platformën e uebit, i cili ka për qëllim të raportojë mbi problemet e ndryshme komunale si që janë pastërtia publike, dëmtimi i pajisjeve urbane si dhe rruajtja dhe mirëmbajtja e pronës publike, përmes denoncimit nga ana e qytetarit me fotografi, përshkrim tekstual të problemit si dhe përcaktim shumë të saktë të lokacionit, duke shfrytëzuar vegzën google maps në territorin e Komunës së Tetovës.

Në ueb faqen e Komunës gjithashtu kemi bashkangjitur edhe vegëza shumë të rëndësishme si ajo e Bashkësisë të Njësive të Vetqeverisjes Lokale për marrje të lejeve për ndërtim në Komunën e Tetovës.

Platforma shtetërore e-shërbime.gov.mk është një mënyre shumë efikase për realizimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve e cila për momentin mundëson qasje në gjithësej 128 shërbimeve digjitale, dhe besoj se do të ishte shumë e rëndësishme sikur në të ardhmen të sigurohej një ndërlidhje mes kësaj platforme shërbimeve që ofrojnë komunat në vend. Në këtë mënyrë do tju mundësohet qytetareve një vegëz e vetme, e enifikuar e cila do ti adresonte të gjitha nevojat dhe kërkesat e tyre, si në institucionet e pushtetit qendror ashtu edhe në atë lokal. Ky sistem i integruar i shërbimeve elektronike në një adresë të unifikuar do të mundësonte dhe do ti inkurajonte të gjitha njësitë e vetqeverisjes lokale ne RMV të përshpejtojnë dhe të vendosin si prioritet digjitalizimit e plotë duke duke u stimuluar nga praktikat pozitive të institucioneve që veçse kanë punuar dhe kanë avancuar dukshëm në këtë drejtim.

Digjitalizimi i shërbimeve publike është mundësi nga e cila përfitojnë të gjithë! Me digjitalizim të punës së institucioneve përveç shërbimeve të shpejta dhe kualitative, arrijmë të konsolidojmë dhe menaxhojmë edhe me resurset njerëzore brenda institucionit, duke pasur të dhëna të sakta mbi punën e kuadrove të ndryshme. Kështu do ta kemi më të lehtë të vendosim në funksion politika dhe praktika të bazuara në meritokraci, të cilat do t’i shpëblejnë ata që punojnë dhe do t’i identifikojnë ata që nuk kontribojnë sa duhet dhe ju shmangen obligimeve të punës.

Duke u bazuar në rekomandimet të analizës së kryer nga Ministria për Vetqeverisje Lokale dhe UNDP, ku përfundimet e kësaj analize flasin qartë se në Komunat tona mungojnë shërbime të unifikuara, forma të dokumenteve elektronike dhe resurse njerëzore, ne si komunë do të vazhdojmë në përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme drejt digjitalizimit të plotë të shërbimeve dhe punës institucionale.

Digjitalizimi i punës së institucioneve dhe qasja elektronike deri tek shërbimet publike kontribon gjithashtu edhe në rritjen e qytetarisë aktive, sepse kështu qytetari shumë lehtë dhe nga komoditeti i shtëpisë së tij, arrin të artikulojë nevojat, e pse jo edhe japë propozimet apo rekomandimet e tij për menyrën se si një problem duhet zgjidhur.

Vendi ynë synon integrim në familjen e madhe europiane, si një sistem i organizuar i vlerave dhe praktikave të dëshmuara progresive. Andaj, ne duhet të ndjekim rrugën të cilën përpara nesh e kaluan shumë shtete dhe shoqëri, duke u shërbyer me forcën e shembullit të mirë, por edhe duke lënë gjurmet tona mbi këtë rrugë.” -thotë Arifi.