Arrestohen 3 të dyshuar që u premtonin njerëzve viza pune në Gjermani

Policia e Kosovës pas realizimit të një hetimi të fshehtë kanë goditur një grup prej tre personash të cilët dyshohet se kanë mashtruar qytetarët e Republikës së Kosovës duke iu premtuar punësim në profesione të ndryshme në Gjermani.

Të dyshuarit I.B, Sh.B dhe E.P në këmbim të kryerjes së këtyre shërbimeve kanë marrë mjete financiare nga qytetarët në faza të ndryshme, duke filluar nga faza e aplikimit, sigurimit të kontratës së punës si dhe fazën e fitimit të së drejtës për vizë.

Të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë , ndërkohë u janë sekuestruar 700 euro dhe tre telefona mobil që do të përdoren si prova materiale gjatë hetimeve.

Ky aksioni i Policisë së Kosovës vjen në prag të fillimit të implementimit të rregulloreve të reja të Gjermanisë për paisje me viza pune që do të hyjnë në fuqi nga 1 marsi.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, me datë 24 janar 2020 ka realizuar planin operativ të koduar ‘’Vizat’’.

Pas dyshimeve të bazuara në përfshirjen e disa personave të dyshuar në një bashkëpunim me një person tjetër në Gjermani, gjatë periudhës kohore janar-maj të vitit 2019, të njëjtit ju kanë premtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës punësim në profesione të ndryshme, e kryesisht në fushën e ndërtimtarisë në shtetin e Gjermanisë, ku në këmbim të kryerjes së këtyre shërbimeve, qytetarët duhet të paguanin shuma të parave në faza të ndryshme (në fazën e aplikimit, fazën e sigurimit të kontratës së punës, si dhe fazën e fitimit të të drejtës për vizë).

Me këtë rast, Policia e Kosovës gjatë fazës së hetimeve, ka aplikuar masat e nevojshme të hetimit të fshehtë, me ç’rast janë mbledhur dëshmitë nga personat e dyshuar.

Personat e dyshuar të arrestuar janë :

I.B. viti i lindjes 1983 M/Shqiptar

Sh. B. viti i lindjes 1952 M/Shqiptar

E. P. viti i lindjes 1996 M/Shqiptar

Në lidhje me rastin janë sekuestruar para në vlerë prej 700 (shtatëqind) euro si dhe 3 (tre) telefona mobil, të cilët do të shërbejnë si prova materiale përgjatë procedurave.

Ndërsa me urdhër të prokurorit, personat e dyshuar të arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.