Askush s’është paraqitur në konkursin e Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve

Askush nuk dëshiron të jetë drejtor i Inspektorati për Zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, që do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Konkursi publik tashmë ka përfunduar pa asnjë pretendues për karrigen e drejtorit të këtij institucioni, i cili ka rol inspektues ndaj institucioneve në vend përkatësisht të ndjek respektimin e gjuhës shqipe nga institucionet e shtetit. Shpresat e Qeverisë varen tek ndonjë kandidaturë e mundshme që dokumentacionin e ka dorëzuar përmes postës. Qeveria thotë se gjithçka do të jetë e qartë në seancën e ardhshme të ekzekutivit që mbahet të martën.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shpallur konkursin për emërimin e drejtorit të Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve. Ky konkurs ka përfunduar dhe pritet që Qeveria në seancën e radhës të diskutojë për kandidaturat që kanë arritur dhe të emërojë drejtorin e ri, apo eventualisht nëse nuk ka kandidatura të mjaftueshme, apo kandidat adekuat i njëjti të përsëritet- deklaroi Muhamed Hoxha- zëdhënës i Qeverisë.

Sipas kornizave kohore të parashikuara me ligj, Inspektorati duhet të fillojë me punë më 15 janar, por në rast të rihapjes së konkursit për përzgjedhje, respektimi i këtij afati kohor shihet me dyshim. Avokati Sejfulla Osmani, mosinteresimin për këtë post e shpjegon duke thënë se faji qëndron tek institucionet.

“Sa i përket mos paraqitjes së kandidatëve, unë këtu shoh dy arsye. Nuk ka të interesuar për rrogën që ofrohet dhe kualifikimet që parashihen për këtë vend pune dhe e dyta që sipas meje është më e besueshme, ne në shoqëri kemi ndërtuar një mendësi të politizimit të institucioneve dhe pozicioneve dhe njerëzit ndoshta presin që partitë të ju ofrojnë një pozicion për të dhënë edhe aplikimin për të njëjtën punë. Domethënë edhe në rastin konkret nuk ka aplikacione, sepse nuk i është thënë askujt që të aplikojë nga ana e politikës dhe njerëzit e kanë humbur më besimin në konkurset e drejta dhe të paanshme. Është shumë e vështirë që deri më 15 janar të zgjidhen inspektorët e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve- tha Sejfulla Osmani, Avokat.

Përzgjedhja dhe kompetencat e drejtorit të këtij Inspektorati përcaktohen në nenin 8 të Ligjit për Inspektorat, i cili pak kohë më parë u miratua nga Kuvendi i Maqedonisë. Drejtori përzgjidhet për një mandate 4 vjeçar me të drejtë edhe të një rizgjedhje.