Bardhyl Gashi: Prezantoj popullin shqiptarë prej anës më të mirë të mundëshme

Është nga Kosova por nga viti 1995 jeton në Gjermani më saktësisht në qytetin Heidelberg. Bardhyl Gashi bokser i njohur atje vjen në një intervistë për Infrared të gazetës Koha ku tregon punën dhe jetën e tij atje. Thotë se njihet me nofkën ‘Skenderbeu’ për shkak se ka ngjajshmëri të madhe me heroin tonë kombëtarë ndërkohë që njihet edhe si ambasador shqiptarë atje pasiqë kultivon kulturën shqiptare.

Bardhyl, fitoret në boks për ju tashmë janë bërë rutinë. Duket se nuk po njeh kundërshtar para vetes, apo? Çfarë i duhet një boksieri për të pasur sukses?

Duhet shumë ushtrime e shumë durim dhe nuk bën të njohësh dhimbjen, duhet me qenë tamam burrë dhe krenarë me atë që bën.

Me cilën nofkë njihesh?

Njihem me emër ‘The Skenderbeu’ se dukem prej anësh në foto si ai, e atë e adhuroj shumë.

Ke pasur ndonjë rast, qoftë si fëmijë, kur je frikësuar nga gjarpri?

Nga gjarpri nuk kam pas rast deri më sot nuk e kam takuar jo, por vëllau im i madh po.

Meqë përmende fëmijërinë, në cilin vit keni migruar në Gjermani?

Në mars të vitit 1995 kemi emigruar në Gjermani.

Kush ju shtyri të merreni me boks?

Nuk më ka shtyrë askush të merem me këtë sport por gjithmonë kam pas qejf të prezantoj flamurin kuq e zi dhe plisin tonë me tradita, kam dashur që të gjithë të dinë se jam shqiptarë.

Po dukesh shumë patriot?

Ne kemi qenë gjithmonë familje patriotike, babgjyshi im ka luftuar në luftrat e para në Prekaz krahas heronjëve të familjes Jashari, daja im ka qenë gjithashtu luftëtarë në rajonin e Polluzhës si dhe djali i axhës babait ka qenë në betejën e Koshares, babagjysh i imi ka qenë luftëtarë i Shaban Polluzhës, ne jemi nga Kopiliqi i Drenicës vend ku ka lindur i madhi Milosh Kopiliqi.

Sa ishte e vështirë adaptimi juaj në Gjermani dhe në shoqërinë gjermane?

Adaptimi ka qenë atëherë shumë vështirë sidomos me gjermanët.

Në Kosovë tashmë ke përkrahjen e të gjithëve, por në Gjermani?

Në Kosovë kam mbështetje të madhe ku jam edhe shumë falenderues por edhe në Gjermani mbështetja prej shqiptarëve nuk mungon.

Mendoni se jeni shembull i integrimit në Gjermani, apo si një “ambasador” i shqiptarëve në këtë shtet?

Mendoj që jam ambasador i shqiptarëve në Gjermani, si sportist prezantoj popullin shqiptarë prej anës më të mirë të mundëshme e jo anën e kriminelit.

Në fillimet tuaja a e keni ndier veten ndonjëherë të diskriminuar se jeni shqiptar?

Jo vetëm në fillim por ka pasur edhe shumë momente tjera ku jam ndier i diskriminuar që jam shqiptarë.

E dashura juaj ju ndjek nëpër ndeshje?

Gruaja ime është një shtyllë për mua, ajo më ndjek në secilën ndeshje dhe më jep fuqi maksimale, më flet shumë si një lloj qetësuesi, ashtu edhe prindërit e mi kurrë nuk mundem të ju kthej atë që kanë bërë për mua deri më sot, janë forca ime më e madhe.

Llogaritesh si boksieri që ka grushtin më të rëndë në botë. E ke përdorur ndonjëherë edhe jashtë lojës?

Fatkeqësisht e kam përdorur por jo që deshta unë por nuk kishte ndonjë rrugëdalje tjetër në atë moment.

A ke pasur ndonjëherë provokime nga të tjerët për t’u futur në probleme?

Kam pasur provokime me njerëz që mendojnë që duhet të matem kush është më i fortë por nuk ka pas më provokime se e kanë parë atë që ka ndodh.

Kam dëgjuar se thonë se je krejtësisht tjetër në jetën e përditshme. I qetë dhe mjaft i shoqëruar, apo?

Jam shumë njeri i shoqërueshëm dhe kam qejf gjithmonë të ik nga problemet, mundohem secilit t’i

kryej punë.

Me kë e ke ëndërr të boksosh dhe cili është synimi juaj?

Synimi im është të fitoj ndeshjen e rradhës në Heilbronn ku e kam një rematch me një boshnjak për shkak se ajo ndeshje u përfundua para një viti me një skandal e që është sivjet një ndeshje shumë e pritur nga tifozët gjerman, më pas e kam nisur edhe renovimin e shkollës që do hapi pas ndeshjes.