BDI – Gostivar, Këshillat Vendore dhanë propozime, lista i dërgohet liderit Ahmeti

Kryesia e degës së Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI në Gostivar, mbajti mbledhjen e radhës me të vetmën pikë të rendit të ditës, përpilimi i listës me kandidatët e mundshëm për deputetë për zgjedhjet e 12 Prillit.

Brenda javës që lamë pas, kryesia u takua dhe vendosi kriteret për nominim, pas çka, obligoi Këshillat Vendore të mbajnë mbledhje dhe të propozojnë deri tre emra për deputetë potencial. Të gjitha Këshillat Vendore gjatë ditës së shtunë mbajtën mbledhje dhe dorëzuan propozimet.

Në mbledhjen e së diellës Kryesia shqyrtoi propozimet dhe unanimisht miratoi listën që do t’i dorëzohet liderit, z. Ali Ahmeti. Duhet theksuar që në listën e propozuar, 50 % i takojnë gjinisë femërore.

“E filluam procesin në mënyrë trasparente dhe po e përmbyllim, po ashtu, në mënyrë transparente. Sonte kemi listën me kandidatët e mundshëm për deputetë dhe e njëjta do të dërgohet në selinë e partisë. Lista u krijua nga propozimet që erdhën nga Këshillat Vendore. Kryesia luajti rolin e ndërmjetësuesit të bazës me qendrën”, tha Kryetari i degës, z. Bashkim Hasani.

Sipas statutit të partisë, lideri Ahmeti mban të drejtën e përzgjedhjes dhe përfshirjes së kandidatëve në listën partiake për deputetë.