BDI: Pa mbështetjen e shqiptarëve, nuk na duhen favorizime nga parti politike

Nuk duam të jemi të preferuarit e akujt, pos të qytetarit shqiptarë. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani në emisionin
“200” në Alsat-M, ka thënë se, megjithëse me LSDM-në e Zoran Zaevit kanë marrëdhënie të mira dhe korrekte, megjithatë ka edhe qëndrime të ndryshme mes tyre.

“Ne kemi raporte të mira me LSDM-në. Ja tani, në mbledhje të Qeverisë diskutuam për krizën e emigrantëve, koronavirusin, për nevoja të njerëzve. Raporte të mira me LSDM-në do kemi edhe në të ardhmen. Por, çështja e emërtimit të shkollave me emra shqip, sidomos në ato shkolla ku 100 për qind nxënësit dhe mësimdhënësit janë shqiptarë, është çështje emocionale për ne. Nëse ka dilema, le të ulen institucionet dhe të sqarojnë të njëjtat. Por, nuk duhet të ketë deklarata paraelektorale. Ne si parti e kemi parim që të mos i komentojmë deklaratat parazgjedhore,
sepse e dimë se nuk janë parime që kanë të bëjnë me nevojën e qytetarëve. Prandaj ne nuk kemi bërë lojëra politike në këtë drejtim. Ne vetëm tregojmë se çfarë kemi bërë dhe çfarë bëjmë për qytetarët”, është shprehur Osmani, ndërsa ka shtuar se ndryshe nga partitë tjera, BDI nuk merret me lojëra politike në kohë fushate parazgjedhore.

“Ne nuk kemi bërë as lojëra e tentime për koalicione, sepse njerëzit janë lodhur nga këto lojëra politike. Qytetarët duan të dinë se çfarë bëmë për ta dhe çfarë do të bëjmë, prandaj BDI ka qenë larg debateve kush me kë koalicion, pse dhe si… Nëse i shihni konferencat ditore të BDI-së, ato janë llogaridhënie se çfarë kemi bërë për qytetarët.

Fjalorin zgjedhor nuk e marrim si serioze në këtë periudhë parazgjedhore. Ndërsa sa i takon nevojës për implementimin e së drejtës dhe ligjeve, ju e dini se tema kryesore e BDI-së në këto zgjedhje është Vetingu. Ne e imponuam si temë dhe zgjedhje ligjore dhe të drejtën selektive si kancer të kësaj shoqërie”, ka thënë Osmani.
Ne, ka vijuar më tej ai, nuk pretendojmë që jemi parti e njëjtë sikurse LSDM.

“Kemi qëndrime të ndryshme, përfaqësojmë elektorate të ndryshme dhe kur ulemi në koalicion, bëjmë kompromise për të mirën e qytetarëve. Nuk duhet të habiteni nëse kemi qëndrime të ndryshme me LSDM-së, sepse po të ishte ndryshe, atëherë do të shkriheshim në LSDM sikurse bëri edhe BESA. Andaj, nuk e di pse duhet dikush të habitet me dallimet që kemi ne si dy parti me dy elektorate të ndryshme”, tha Osmani në emisionin “200”, ndërsa ka treguar edhe arsyet pse BDI në zgjedhjet e 12 prillit do të dalë e vetme.

“Ne fare nuk na hyn në udhë kë kush e favorizon. Ne duam të na favorizojë populli, votuesi shqiptarë dhe kjo është ideja e funksionimit politik të BDI-së dhe kjo është arsyeja pse kemi dalë të vetme në zgjedhje, duke folur kryesisht për njerëzit dhe çfarë kemi bërë për ta.

Për këtë ne kërkojmë mbështetjen e shqiptarëve. Po nuk e morëm ne mbështetjen e shqiptarëve, ne nuk na duhet favorizimi nga asnjë parti politike. Nëse qytetarët janë të kënaqur nga ajo që kemi realizuar, shpejtë ose ngadalë, ne duam të kemi kredibilitet më tutje”, tha Osmani.