BDI përballë konkurrentëve

Integrimi i figurës së Ali Ahmetit në filozofinë politike të lidershipit të BDI-së, erdhi duke u thelluar, bashkë me zhvillimin e kauzave që kjo parti i projektoi në kuadër të politikave qeverisëse në dy dekadat e fundit

Nga Gjyla HALILI

Ciklet zhvillimor të një partie politike ndërlidhen me dinamikën e ngjarjeve, kontekstin kohor dhe me konkurrencën. Në skenën politike të këtushme funksionojnë dy tipa subjektesh partiake – BDI dhe të tjerët. Arsyeja se pse BDI vazhdon të jetë e pa konkurrueshme në tregun e këtushëm politik, ndërlidhet me tre faktorë kryesorë: me lidershipin e saj, me strukturën e brendshme dhe me vizionin pragmatik.
Lidershipi i BDI-së buron prej një shkolle politike-kombëtare, synimi i së cilës ka qenë dhe mbetet përballja me sfidat përmes kombinimit të mençurisë dhe guximit. Strateg i kësaj shkolle është Ali Ahmeti. Ai arriti të modifikojë kulturën politike brenda një rrafshi pragmatik të veprimit, ku prioritetet caktohen në bazë të nevojave dhe sfidave të kohës.
Profili politik i Ali Ahmeti buron prej një tradite më të gjatë të veprimtarisë atdhetare, kurse shtrirja e kësaj tradite në një stil të ri pune, dhe me ekip të testuar në terren, përbëjnë shenjën dalluese të këtij profili.
Integrimi i figurës së Ali Ahmetit në filozofinë politike të lidershipit të BDI-së, erdhi duke u thelluar, bashkë me zhvillimin e kauzave që kjo parti i projektoi në kuadër të politikave qeverisëse në dy dekadat e fundit.
Struktura e brendshme e BDI-së është një masiv i fortë njerëzish, të cilët lojalitetin ndaj partisë dhe liderit e shprehin me përkushtim dhe vepra konkrete. Evoluimi i kësaj strukture ka qenë i ngadalshëm, por tepër produktiv për vet shëndetin politik të BDI-së. Megjithatë kohezioni i brendshëm i strukturës partiake ka qenë i pamundur pa rolin dhe kontributin e liderit Ali Ahmeti, i cili në mënyrë gjeniale ka arritur të imponojë frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në mes të gjeneratave, rajoneve dhe gjinive.
Në BDI asnjë gjeneratë nuk e ndjen veten të përjashtuar nga gara normale dhe në instancë të fundit të gjithë arrijnë në cakun që i bën fitues.
Kjo vlen edhe për parimin rajonal, të cilat brenda BDI-së trajtohen barbar dhe nuk ka privilegjim apo margjinalizim kuadrosh mbi baza krahinore. Ky është një faktor mjaft i rëndësishëm që e forcon kohezionin e brendshëm partiak, ku krahinorizmi është një nocion i huaj për BDI-në. Shembulli më tipik që shpreh këtë parim është lideri Ali Ahmeti me prejardhje nga Kërçova dhe Tetova si seli ku ai çdo mëngjes është i pranishëm, dy nocione që bashkëveprojnë brenda një partie pa e kundërshtuar njëri tjetrin.
Të jesh pjesë e BDI-së, është një ndjenjë e mirë edhe për gratë dhe vajzat aktiviste. Ato trajtohen në mënyrë të denjë dhe karriera e tyre nuk lidhet vetëm me çelësin e përkatësisë gjinore, por mbi të gjitha me rezultatet dhe aftësitë e treguara në fushat ku ato veprojnë. Deri më tani kanë defiluar disa emra zonjash dhe zonjushash që i kanë bërë nder jo vetëm BDI-së por gjithë shqiptarëve të këtushëm, sepse performansa e tyre ka qenë në nivele të kënaqshme të përfaqësimit.
Një subjekt politik që është i ndërtuar mbi këto parime, e ka të sigurt ardhmërinë, kurse gara për ta konkurruar atë është tepër e vështirë. Në rrethanat aktuale kjo garë gjithnjë e më tepër po bëhet më e pakuptimt, për arsye se konkurruesit nuk po synojnë të kontestojnë doktrinën politike të BDI-së, por po synojnë ta zëvendësojnë atë me ardhjen e tyre në pushtet. Kur gara politike vendoset mbi këta parametra, fiton gjithmonë ai që ka vizion dhe qëndrueshmëri veprimi.
Në rrethanat aktuale, përpos BDI-së që ka program, ka diskurs, ka vizion, të gjitha partitë tjera opozitare shqiptare, e kanë vetëm dëshirën e madhe për të ardhur në pushtet, por kjo nuk mjafton. Dëshira e tyre për pushtet nuk korrespondon me nevojat dhe kërkesat e shqiptarëve, për arsye se jetëgjatësia e këtyre nevojave dhe kërkesave nuk është në koherencë me këtë filozofi politike të partive shqiptare opozitare.
Opozitarët e përçarë shqiptarë nuk kanë strategji të kontestojnë politikat retrograde të partive maqedonase, por kanë shumë vullnet ta luftojnë BDI-në, duke e zëvendësuar atë jo me program, por me ndërskamsa.
Opozitarët e përçarë shqiptarë në vend se të bëhen bashkë të mundin BDI-në, ato koketojnë tinëz me partitë politike maqedonase që të sigurojnë mbijetesë politike, sepse janë të sigurt se votuesi i ka deshifru si mercenarë të lirë.
Ka kohë që qytetarët shqiptarë i kanë detektuar këto mangësi dhe kjo është arsyeja se pse ata nuk po i mbështesin kauzat opozitare. I vetmi ‘faj’ që mund t’i përshkruhet BDI-së në gjithë këtë garë politike, është se po tregohet mjaft e zgjuar në hartimin e ofertave dhe implementimin e tyre në praktikë. Prandaj ajo nuk mund të ndjehet edhe gjithaq komode, për vet faktin se asaj po i mungon një oponencë e mirëfilltë politike, e cila do ta pasuronte garën me ide e oferta dhe do ta përshpejtonte konsolidimin e kulturës politike të shqiptarëve kundrejt qytetarëve të etnive të tjera.

Tetovë, 12 janar