BDI: Rezoluta mbi Vetingun

Delegatët e Kongresit të katërt zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim konstatojnë gjendjen shqetësuese të pushtetit të tretë dhe vlerësojnë që pas realizimit të përcaktimeve për liri dhe barazi nga Deklarata Themeluese e Bashkimit Demokratik për Integrim, koha është për të adresuar drejtësinë selektive, parashikueshmërinë ligjore, sundimin e së drejtës dhe të ligjit në përgjithësi.

Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim konstaton drejtësinë selektive në vend të frymëzuar nga politika, të aplikuar nga prokurorë dhe të zbatuar nga gjykatës me paragjykime nga sisteme të kaluara, me bindje të vjetëruara dhe me prirje korruptive.

Ligji duhet të jetë fer dhe i drejtë për çdo qytetar. Autoriteti dhe ndikimi i ligjit në shoqëri varet nga qasja e drejtë dhe joselektive e zbatuesit dhe ushtruesit të këtij autoriteti sepse liria në një shoqëri demokratike nënkupton nënshtrim ndaj ligjeve të cilat janë të zbatueshme tek çdo qytetar dhe e përcjellur me të drejtën e pacënuar individuale ndaj kufizimeve dhe ndalesave të lirisë.

Sundimi i ligjit nënkupton nënshtrim ndaj ligjit edhe të ligjvënësit, edhe të ligjzbatuesit edhe të gjykatësit dhe prokurorit dhe paraqet parakusht absolut për barazi, por edhe për zhvillim ekonomik dhe kushte të barabarta për zhvillim të biznesit.

Delegatët e Kongresit të katërt zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim konfirmojnë vendosmërine e tyre për të qeveris ligji e jo individi, por në mënyrë të barabartë, tranparente, joselektive dhe me parashikueshmëri ligjore.

Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim mbështet propozimin për veting që nënkupton kontrollin e dyfishtë të secilit anëtar të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të çdo partie tjetër, që merr rolin e shërbyesit publik, çdo politikani, prokurori dhe gjykatësi në vend sepse integriteti i individit udhëheqës dhe i institucionit që udhëheq janë baza e një shoqërie të shëndoshë.

Kontrolli i parë siguron integritet dhe transparencë maksimale të secilit pretendent dhe ushtrues detyre publike duke mbledhur, analizuar dhe botuar të gjitha informacionet dhe të dhënat për secilin pretendent dhe bartës aktual të funksionit publik në mënyrë që qytetarët ose organi që e propozon, zgjedh apo emëron bartësin e funksionit, të vlerësojë integritetin dhe dinjitetin e bartësit ose kandidatit duke ulur mundësinë për korrupsion, krim, keqpërdorim të detyrës dhe rrënim të autoritetit dhe imazhit të institucionit.

Kontrolli i dytë nënkupton zbatimin e vetingut nëpërmjet të marrjes së masave institucionale pas konstatimit të parregullësive, mospërputhjes midis të ardhurave dhe pronës si dhe diskrepancave në kariere gjatë kontrollit të parë ndaj kandidatëve dhe bartësve të funksioneve publike, prokurorëve dhe gjykatësve.

Rrjedhimisht, Delegatët e kongresit të katërt zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim vënë prioritetin mbi përmbushjen e detyrimeve nga kapitujt 23 dhe 24 të Acquis që përfshijnë gjyqësorin dhe të drejtat fundamentale, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.

Gjithashtu, Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim mbështet rekomandimet e grupit të ekspertëve të lartë mbi cështjet sistemore të sundimit të ligjit të drejtuar nga Rajnhard Pribe në lidhje me mediat, zgjedhjet, gjykatat dhe prokurorinë, avokatin e popullit dhe ndjekjen e komunikimeve.

Delegatët e Kongresit janë të palëkundur në qëndrimin se mediat duhet të jenë të lira nga presioni politik, por edhe të distancohen nga partitë politike dhe grupet e interesit duke mos u vënë në shërbim të askujt përveç së të informimit të drejtë dhe me integritet, pa lajme të rreme dhe propagandë.

Njëkohësisht, ftojmë institucionet gjyqësore që të rishqyrtojnë rastet e kontestuara seriozisht në opinion që kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e gjyqësorit duke konstatuar zbatimin e drejtësisë selektive që destabilizon shoqërinë dhe pamundëson barazinë.