BDI: U vulos rruga jonë euroatlantike

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) uron të gjithë qytetarët për arritjen e madhe në këto ditë të vështira për të gjithë ne, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryefjala e veprimtarisë tonë politike që nga themelimi si parti ka qenë barazia nëpërmjet të zbatimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe anëtarësimi i plotë i vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve u rrumbullakësua pjesa normative e marrëveshjes së Ohrit, ndërsa me marrëveshjen e Prespës dhe të fqinjësisë së mirë si dhe me miratimin e ligjeve reformuese, u përmbyll procesi i anëtarësimit në NATO dhe hapjen e bisedimeve aderuese në Bashkimin Evropian.

Për ne në BDI, ky përcaktim rilindës për barazi dhe përkatësi perëndimore ka qenë dhe do të mbetet busulla jonë orientuese. Kjo e arritur është meritë e qytetarëve të vendit tonë. Ta gëzojmë këtë të arritur të përbashkët me përkushtim maksimal për ti respektuar masat e kujdesit ndaj Kovid-19 dhe rekomandimet e institucioneve.

Të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim konsiderojmë që e ardhmja e sigurt është pikërisht kjo rrugë që shtrohet nga vullneti i popullit.

Bashkimi Demokratik për Integrim