BE-ja paraqet metodën e re të zgjerimit

Bashkimi Europian shpreson se do të njihet me vështirësitë që do të hasen në të ardhmen, kur Komisioni Europian do të bëjë të ditur, javën e ardhshme, metodologjinë e tij për zgjerimin, shkruan euobserver.com.

“Qëllimi ynë nuk është të riprojektojmë zgjerimin, por të forcojmë procesin”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit.

”Propozimet e Komisionit synojnë që fillimin e negociatave t’i bëjnë sa më efektive, të besueshme, të parashikueshme, objektive, politike dhe dinamike”, shtoi zëdhënësi.

”Propozimet janë ideuar gjithashtu për të marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga disa vende anëtare”, shtoi zëdhënësi.

Metoda aktuale e zgjerimit kërkon që BE të negociojë 35 kapituj ligjorë dhe politikë me secilin kandidat para se t’i mirëpresë ata si anëtarë të rinj dhe të zhbllokojë qasjen e plotë në fondet e BE dhe hartimin e politikave në një proces që zgjat nga 5 deri në 10 vjet.

Por, Franca, tetorin e kaluar, theksoi se ”duhet të përqendrohet në vetëm shtatë hapa dhe se qasja drejt BE-së duhet të bëhet gradualisht gjatë këtij rrugëtimi”.

“Ne duam të shoqërojmë dhe integrojmë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, në politikat kryesore të BE-së”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit, në kundërshtim me idenë franceze për qasjen graduale të përfitimeve.

“Por, ne duhet të sigurohemi që nëse njëra palë dorëzon atë që kërkohet, tjetra duhet të bëjë të njëjtën gjë”, shtoi zëdhënësi duke aluduar për veton shokuese të Francës mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ne u kemi kërkuar të dy vendeve të bëjnë shumë, ata i plotësuan kriteret dhe… tani duhet të përfundojmë këtë fazë”, shtoi zëdhënësi.

“Ballkani Perëndimor është një përparësi për këtë komision dhe është në interesin tonë gjeostrategjik t’i afrojmë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor me BE. Presidenti francez ka thënë gjithmonë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë në Europë dhe kjo kurrë nuk ka qenë në dyshim”, theksoi një diplomati i BE.

Afati i Zagrebit

Nëse 27 komisionerët bien dakord për propozimet e reja, siç pritet në mbledhjen e së martës 4 shkurt, liderët e BE mund të jenë të gatshëm të miratojnë versionin përfundimtar të metodës së re në samitin e Brukselit në muajin mars, dhe kjo nga ana tjetër, do t’i hapte rrugën një samiti më optimist të BE me liderët e Ballkanit Perëndimor në Zagreb në muajin maj.

“Shpresojmë për një vendim pozitiv mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shumë përpara Samitit të Zagrebit”, tha zëdhënësi i Komisionit.

“Në përgatitje të Samitit të Zagrebit, Komisioni gjithashtu do të paraqesë një plan zhvillimi ekonomik për rajonin. Qëllimi ynë është të intensifikojmë praninë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojmë në zvogëlimin e hendekut të zhvillimit ekonomik mes nesh”, theksoi zëdhënësi.