Bekteshi: Agjencitë turistike do të japin vauçerë për aranzhmanet e dështuara

Qytetarët të cilët kanë paguar për aranzhman turistik, mirëpo u ka dështuar për shkak të krizës me koronavirusin, do të marrin vauçer nga agjencitë turistike, të vlefshme deri më 31 dhjetor të vitit të ardhshëm.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi njoftoi sot se është hartuar një dekret ligjor,me të cilën agjencive t’u mundësohet të lëshojnë vauçerë në vlerë të shumës së paguar që mund të shfrytëzohet për çdo udhëtim pasues deri në fund të vitit 2021.

“Në këtë mënyrë të gjithë klientët të cilët për shkak të situatës së krijuar me krizën e koronës i kanë anuluar aranzhimet e tyre nuk do t’i humbasin mjetet e shumës që e kanë paguar, ndërsa në të njëjtën kohë agjencitë turistike mund të mbajnë barrën financiare që do të shpërndahej gjatë një periudhe më të gjatë kohore,”, tha Bekteshi.

Lëshimi i vauçerëve do të unifikohet për të gjitha agjencitë dhe do të realizohet me pëlqimin e dy palëve, përkatësisht agjencisë turistike dhe udhëtarëve.

Agjencitë turistike që pushojnë së funksionuari do të kenë për detyrim t’ua kthejnë mjetet financiare klientëve të tyre, ndërsa ata që nuk i respektojnë kushtet për lëshimin e vauçerëve do të marrin gjoba adekuate konform ligjeve për veprimtari turistike dhe kundërvajtje.

Bekteshi gjithashtu tha se në mbështetje të turizmit që është më i prekuri nga kriza me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë, Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave autoriale dhe muzikore SHMAM mori vendim t’i lirojë nga pagesa e kompensimit për muzikë, restorantet, hotelet, kafenet dhe subjektet tjera që paguajnë një kompensi të këtillë, duke pasur parasysh që ato nuk punojnë fare.

“Së bashku me Fondin e turizëm që tashmë ka qenë i krijuar dhe me paketën tjetër të masave ekonomike në të cilën po punojmë në mënyrë intensive, mund të them se do të pranohen pothuajse të gjitha kërkesat nga sektori i turizmit “, tha Bekteshi.