Bekteshi: BDI-ja është kundër uljes së pagës së administratës, për funksionarët e pranueshme

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot deklaroi se për të dhe për partinë e tij BDI-në është e pranueshme masa të cilën e propozoi partneri i tij i koalicionit LSDM për pagesën e pagës minimale të funksionarëve në shenjë të solidaritetit në kushte të krizës ekonomike nga koronavirusi, por jo edhe që të ketë ulje të tillë të pagave të administratës publike.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën për media në Qeveri, Bekteshi tha se në mbledhjen e djeshme qeveritare nuk janë shqyrtuar propozimet e LSDM-së, duke theksuar se duhet të fillohet me uljen e pagave të funksionarëve dhe pagesave në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse, e pastaj të bëhet vlerësim për faza të tjera eventuale dhe të shihet gjendja e Buxhetit shtetëror.

“Si ministër i Ekonomisë dje kisha rastin në disa raste t’iu përgjigjem propozimeve të LSDM-së e cila është partnere e koalicionit në Qeveri. Po, unë jam i gatshëm të shkoj në ulje të pagës, por jo vetëm unë, ne si BDI e mbështesim mesën që ka të bëjë me pagën minimale për të gjithë funksionarët dhe të emëruarit, por jemi kundër që të shkojmë me pagë minimale për gjithë administratën publike. Gjithsesi se kishte propozime tona dhe do t’i inkurajoja të gjitha Odat Ekonomike, Organizatat Joqeveritare dhe ekspertët që të dorëzojnë propozime adekuate, sepse ne mendojmë se ka edhe pika të tjera në Buxhet ku mund të ketë shkurtime fillimisht dhe të shkojmë në faza për atë se shpenzimin nga kjo pandemi duhet ta bartim të gjithë”, tha Bekteshi.

Për momentin, shtoi ai, mendojmë se duhet të fillojmë me uljen e pagave të funksionarëve, heqjen dorë nga çfarëdo lloj pagesash në Bordet Drejtuese në Bordet Mbikëqyrëse dhe të ngjashme, e pastaj të shohim fazat e tjera duke i pasur parasysh edhe të ardhurat në shtet që duhet të na i thotë Ministria e Financave dhe të sjellim vendime adekuate.

“Qëndrimi im personal si ministër i Ekonomisë, por njëkohësisht edhe qëndrimi i BDI-së është se nuk duhet ulje e tillë t’i bëhet administratës publike”, potencoi Bekteshi.