Bekteshi dhe pronarët e marketeve: Mos bëni panik, ushqim do të ketë

Ushqim dhe produkte ushqimore ka edhe në markete, por edhe në magazinat e furnizuesve, qytetarët të mos bëjnë panik, porositi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe pronarët e marketeve në takimin e sotëm.
“Dua që si ministër i Ekonomisë t’i ftoj qytetarët që me arsyeshmëri të blejnë, a marketet të bëjnë plane që t’u dalin në ndihmë qytetarëve. Vend për panik nuk ka, mallra të domosdoshme ushqimore ka”, tha Bekteshi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbrëmë ka miratuar vendim për ngrirje të çmimeve për produktet: bukë, krip, vaj, qumësht dhe prodhime qumështore, vezë, miell, mish, pasta, barna dhe mjete dezinfektuese, përveç atyre që kanë dëshmi se janë rritur faturat e hyra.

Në seancën qeveritare u miratua edhe informata me të cilën u propozua ndalesa për eksportim të grurit dhe miellit nga gruri në të gjitha vendet për kohë të pacaktuar. Ministria e Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Drejtoria Doganore duhet t’i ndërmarrin të gjitha aktivitetet e domosdoshme me qëllim që të zbatohen këto masa.