Bekteshi: Janë hequr barrierat tregtare midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës njoftoi sot Ministrinë e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut se janë hequr pengesat për eksportin e mjaltit dhe patateve.

Siç bën të ditur Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes në takimin e mbajtur midis ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministrit të Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala, të zhvilluar dy javë më parë, Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë së Kosovës ka dorëzuar dokumentet e nevojshme në fund të javës së kaluar për të siguruar se është kryer monitorim aktiv dhe pasiv i peshqve dhe vezëve të tyre, që ishin të nevojshme për importimin e këtyre produkteve në Maqedoninë e Veriut.

Pasi Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka inspektuar terrenin dhe ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha detyrimet nga ana e palës kosovare sipas rregullativës ligjore, Ministria e Ekonomisë vendosi sot që Republika e Kosovës të vendoset përsëri në listën e vendeve nga të cilat mund të importohen peshq dhe vezë të peshkut.

“Megjithëse me një javë vonesë, Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë së Kosovës ka dorëzuar programin për zbatimin e monitorimit aktiv dhe pasiv të peshqve dhe vezëve të tyre dhe në përputhje me këtë Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë së Maqedonisë së Veriut përsëri e ka vendosur Kosovën në listën e vendeve nga ku mund të importohen produkte te peshkut nga Maqedonia e Veriut, dhe me këtë edhe Kosova ka hequr ndalimin e importit të patateve dhe mjaltit në vendin tonë. Tanimë janë hequr plotësisht pengesat e krijuara nga të dy palët”, tha Bekteshi.

Ministri Bekteshi theksoi se Maqedonia e Veriut nuk do të bëjë kompromise kur bëhet fjalë për standardet që duhet të përmbushen në përputhje me legjislacionin еvropian.

“Ne si Qeveri jemi plotësisht të përkushtuar për të përmbushur të gjitha standardet, dhe duke pasur parasysh faktin se jemi në pritje të një date për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian në muajin tetor, ne do të përmbushim të gjitha kërkesat dhe nuk do të ketë anashkalime. Ne si Qeveri po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të hapur tregje të reja, por në të njëjtën kohë duke mbrojtur qytetarët me kontroll më të madh mbi produktet e importuara në vend”, theksoi Bekteshi.

Masa për të ndaluar importet e peshkut dhe vezëve nuk u ndërmor vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjitha vendet që nuk kryejnë monitorim aktiv dhe pasiv të produkteve të peshkut.

Rikujtojmë se Maqedonia e Veriut mori vendimin për ndalimin e importit të peshqve dhe vezëve të tyre nga Kosova më 20 qershor. Më 16 gusht, Kosova mori një vendim për të ndaluar importin e patateve dhe mjaltit nga Maqedonia e Veriut.