Bekteshi në Tiranë: Deri në fund të vitit do të nënshkruhet Marrëveshja për hapjen e “One Stop Shop” në vendkalimin kufitar Qafë Thanë

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot në Tiranë realizoi takim pune me ministren e ekonomisë dhe financave të Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj dhe ministrin e punëve të brendshme të Republikës së Shqipërisë, Sander Leshaj. Temë kryesore e takimit me të dy ministrat ishte përshpejtimi i procedurave për vënjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare me një ndalesë në vendkalimin kufitar rrugor në Qafë Thanë.

Në shtator të 2018, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriutsolli vendimin për inicimin e procedurës për vënjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare me Republikën e Shqipërisë në vendkalimin Qafë Thanë, me çka do të mundësohej qarkullim më i shpejtë i udhëtarëve, mallrave dhe automjeteve mes dy vendeve. Në fillim të vitit 2019, kjo iniciativë u pranua nga Republika e Shqipërisë, me ç’rast pala shqiptare ka dorëzuar një draft tekst të Marrëveshjes për vënjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare në pikën kufitare Qafë Thanë.

“Ne si Qeveri kemi interes për të pasur një menaxhim të përbashkët të kufijve me një ndalesë “One Stop Shop” me Republikën e Shqipërisë, që është dhe përcaktimi jonë me procesin e Berlinit. Në takimin me ministren e ekonomisë dhe financave të Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj dhe ministrin e brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Sander Leshaj, ne konfimruam,që sa më shpejt që të jetë e mundur, të formojmë grupe të përbashkëta pune nga institucionet kompetente të të dy vendeve që do të punojnë në parakushtet teknike për prezantimin e menaxhimit të përbashkët të vendkalimit kufitar në Qafë Thanë.Pala shqiptare ka dorëzuar tashmë një version të draft Marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufijve, teksti i së cilës është i pranueshëm për ne dhe është pika fillestare e negociatave për përfundimin e saj. Në periudhën e ardhshme do të punojmë në krijimin e parakushteve në terren për funksionimin e këtij koncepti, i ndjekur nga harmonizimi i marrëveshjes pas zbatimit të procedurave ligjore të të dyja shteteve. Ne presim që parakushtet teknike për të dy palët të përfundojnë deri në fund të vitit “, njoftoi ministri Bekteshi pas takimit me dy ministrat.

Ministrja e financave dhe ekonomisë së Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull në rajon kur bëhet fjalë për zbatimin e reformave ekonomike për të lehtësuar tregtinë dhe për të përmirësuar klimën e biznesit.Për të shpejtuar procedurat për hapjen e “One Stop Shop” në vendkalimin kufitar Qafë Thanë, ministrja me porosi se duhet të shfrytëzohen përvojat pozitive që Shqipëria ka me Kosovën dhe Maqedonia e Veriut me Serbinë.

Ministri i punëve të brendshme i Republikës së Shqipërisë, Sander Leshaj, përshëndeti angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut  për të pasur kontrolle të përbashkëta kufitare me Republikën e Shqipërisë, duke theksuar se ky është një nga projektet e tyre parësore që synojnë përshpejtimin e tregtisë dhe tranzitin e udhëtarëve midis dy vendeve, por dhe gjithë rajonit. Ministri Leshaj theksoi nevojën për hapjen urgjente të “One Stop Shop” në vendkalimin kufitar Qafë Thanë, duke filluar së pari në fushën e kontrolleve të udhëtarëve , që sipas ministrit nuk ka asnjë pengesë teknike dhe procedurale.

Hapja e “One Stop Shop” do të ulë kohën e pritjes së transportuesve, por do të ulë edhe harxhimet e operatorëve ekonomikë, do të përshpejtojë qarkullimin e udhëtarëve, mallrave dhe transportit midis dy vendeve. Vënja e kontrolleve të përbashkëta kufitare do të zvogëlojë mundësinë e mashtrimeve doganorendërsa do të kursehen edhe burimet e nevojshme për të realizuar konceptin.