Bekteshi: Nga e hëna denonco rritjen drastike të çmimeve të produkteve bazë

Qytetarët nga dita e hënë do të jenë në gjendje të lajmërojnë mosrespektimin e rekomandimeve të qeverisë për mbrojtje kundër koronavirusit në linjën pa pagesë 191. Çdo qytetar mund të lajmërojë nëse vëren objektet e hotelerisë që funksionojnë ose rritje të çmimeve të produkteve elementare.

Siç informon ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp në qeveri, menjëherë pas lajmërimit, ekipe nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të vizitojnë terrenin për të konfirmuar gjendjen.

Ai u rikujtoi tregtarëve se për mosrespektimin e rekomandimeve ata do të merrnin gjobë prej 5.000 eurove dhe dënim me burg deri më një vit, në bazë të neneve 205 dhe 206 të Kodit Penal.