Besimi nga Drenovec dhe lagja Shkumbin e Tetovës: Koha për Kryeministrin shqiptar!

Kandidatët e Zonës së 6-të, të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), sot, nga takimet e mëhershme me strukturat profesionale, kanë vijuar me takime elektorale në Drenovec dhe lagjen Shkumbini në Tetovë, ku u shtruan çështjet e platformës politike për mandatin e ardhshëm qeverisës, 2020-2024.

Në takimet e zhvilluara në këto dy lokalitete, morën pjesë kandidatët për deputetë, dr. Florin Besimi, Bajram Rexhepi, ndërsa nga Kryesia Qendrore e BDI-së, Faton Ahmeti si dhe drejtues lokal dhe qytetarë të shumtë.

BDI është forcë politike me organizim të qëndrueshëm me mision dhe vizion, me personalitetet më të dëshmuara intelektuale dhe atdhetare, e përkushtuar për të çuar përpara çështjet jetike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, u cek në tubime elektorale, duke u fokusuar për rëndësinë e unitetit të votës shqiptare.

“Uniteti i votës shqiptare do ta sjell edhe Kryeministrin e parë shqiptar, kjo ka shqetësuar maqedonasit, por për fat të keq, kjo ka shqetësuar edhe karrieristët shqiptar të cilët interesat e popullit të vet, ia nënshtrojnë interesave personale e familjare. Kjo ide, ka ndezur retorikën e mosdurimit te disa udhëheqës politik në këtë vend, sepse, nuk mund ta imagjinojnë shqiptarin të barabartë në detyra dhe të drejta sipas kushtetutës”, tha Besimi, duke potencuar se qytetari duhet t’ia tregoj vendin këtyre trafikantëve të votës, sepse, shqiptarët nuk kanë arsye të votojnë projekte të huaja që shqiptarët nuk i shohin të barabartë as si qytetar e as si mandate demokratike.

Ne nuk i ikim as përgjegjësisë, as sfidës për mbrojtjen e interesit nacional, mirëqenies dhe detyrimit ndaj qytetarëve, sepse, ne jemi pjesë e të arriturave, meritës por edhe të proceseve demokratike ndër shqiptarët, për të fuqizuar partitë shqiptare për shqiptarët. Andaj, qytetari, përkundër thirrjeve nga disa subjekte me udhëheqës formal shqiptar, duhet ta thotë fjalën e vet, pa u ndikuar nga sekserët e kësaj votës, për llogarinë e huaj. Neve asgjë nuk na frikëson, sepse, nuk jemi inferior as qiraxhinj, jemi në shtëpitë tona, në të drejtat tona, për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur, tha Florin Besimi.

Koha për Kryeministrin shqiptar, është kohë që nuk mund ta ndal askush. Ftojmë qytetarët të dalin në zgjedhje, ftojmë diasporën, të vije të votojë, sepse, kur e votoni BDI-në, numrin 9, ju keni votuar më të mirën për popullin tuaj, në shtetin të cilin e ndërtojmë me përgjegjësi dhe barabarësi.