Blerja e duhanit zhvillohet pa pengesa

Blerja e duhanit zhvillohet pa pengesa në të gjitha pikat blerëse në vend. Sipas të dhënave të Inspektoratit shtetëror për bujqësi deri më tani janë blerë mbi 19 milionë kilogramë duhan me çmim mesatar prej 222,5 denarë për kilogram, që deri më tani është çmimi më i lartë mesatar. Vlera e duhanit të blerë është mbi 4,2 miliardë denarë dhe 94,4 për qind nga duhani i deritanishëm i blerë është paguar nga ana e kompanive blerëse, informojnë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Nga rekolta e vitit 2019, gjithsej janë mbjellë 13.342 hektarë duhan dhe janë bërë 32.798 marrëveshje me nëntë kompani. Janë dhënë 20.933 lista evidentuese. Prodhimi i përgjithshëm i rekoltës së duhanit për vitin 2019 shënon mbi 26.700 tonë duhan, që është për 6 për qind më shumë se rekolata e vitit 2018.

“Pas përfundimit të blerjes dhe sapo të përfundojnë të gjitha procedurat administrative rreth kontrolleve, Agjencia për Mbështetje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të fillojë të paguajë subvencione për prodhuesit e duhanit. Për rekoltën e vitit 2018 u paguan 29 milionë euro në bazë të modelit të ri për rritjen e subvencioneve të duhanit. Me modelin e ri për subvencione të rritura të prezantuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, subvencionet e duhanit për klasën e parë janë 80 denarë për kilogram, 70 denarë për klasën e dytë dhe 60 denarë për klasën e tretë dhe klasat shtesë”, thuhet në kumtesën e sotme të MBPEU-së.

Nga ky vit 2020 sipas Ligjit të ri për duhan, prodhuesit e duhanit dhe prodhimeve të përafërta, do të shfuqizohen listat evidentuese, me çka, siç potencojnë nga Ministria, në mënyrë drastike do të lehtësohen procedurat për prodhuesit e duhanit.