Boki 13 në spital,në burg kthehet të hënën

Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13, ishte hospitalizuar në Spitalin “8 Shtatori” më 26.11.2019 me udhëzim të lëshuar nga mjeku i ordinancës në kuadër të Burgut të Shutkës.

“Është i vendosur ne repartin e kujdesit intensiv për shkak të çështjeve të sigurisë, dhe jo për peshën e sëmundjes që vuan. Persona Bojan Jovanovski për momentin është në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa në spital do të qëndroj deri sa të kompletohen të gjitha rezultatet shëndetësore”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga spitali “8 Shtatori”.

Sipas drejtorisë së spitalit në fjalë, Boki 13 planifikohet të kthehet në burgun e Shutkës, më së voni të hënën e ardhshme me 02.12.2019.

Bojan Jovanovski u soll në spital nga Burgu-Shkup ku po vuan masën e paraburgimit. Dy të akuzuarit e tjerë për rastin “Reket”, Katica Janeva dhe Zoran Milevski – Kiçeec janë në arrest shtëpiak.

Gjykimi për rastin “Reket” duhet të fillojë më 3 dhjetor të këtij viti.