Çfarë kritike publike po kultivojmë?

Emin Azemi

Çfarë kritike publike po kultivojmë, në kushtet kur nuk ekziston një debat i mirëfilltë i njerëzve të universitetit, të mediave, të biznesit të komuniteteve fetare, të cilët do të ushtronin ndikimin e tyre adekuat mbi atë çështje që konsiderohen si të qenësishme. Jemi bërë sy e vesh se çka na thonë komisarët e partive politike, ndërkohë që nuk e pyesim veten se çka po bëjmë ne që artikulimin e temave e problemeve ta bëjmë siç e bëjnë këtë intelektualët në Londër, në Paris, në Romë, Berlin e gjetiu. Kjo bëhet aktuale sidomos tani kur ndodhemi në një periudhë parazgjedhore dhe ajo që na bie të shohim e dëgjojmë janë disa debate që organizohen nëpër studio televizive, mirëpo që impakti i tyre në publik gati është baras me zero.

Arsyeja se pse është kështu qëndron në keqmenaxhimin këtyre debateve, ku në të shumtën e rasteve ftohen njerëz me tituj kumbues shkencor, por në fakt kur i dëgjon ata ende Y-së i thonë I, kurse ka prej tyre që ende nuk e dallojnë kontekstin nga kontesti, statusin nga statuti. Kritika publike është më e shëndetshme, se çfarëdo lloj poltronizmi. Kritika publike, kur është e bazuar në analiza e argumente, mund të jetë terapia më efikase për një shoqëri, se sa çfarëdo lloj tifozllëku politik. Sartri në Francë, Habermasi në Gjermani, Eco në Itali, Saramago në Portugali, Borhesi në Argjentinë, Lasgushi në Shqipëri jo gjithmonë u pajtuan me politikat e qeverive të tyre, por askush më shumë se ata nuk treguan përkushtim atdhedashurie ndaj vendit të tyre. Pse ne ankohemi në partitë politike se ato gjoja po na e cungojnë mendimin e lirë, kur, për hir të vërtetës, ne jemi bërë autocenzorët më të mëdhenj! Ne drejtojmë media, ne menaxhojmë universitete, ne veprojmë nëpër institucione dhe nuk ka ndodhur që dikujt t’i ketë pëshpëritur në vesh ndonjë ndalesë publike nga partitë politike. Vërejmë se ka aty këtu nëpër rrjetet sociale komente gjysmë të guximshme të individëve që shkruajnë hapur Por, sikur për të njëjtën temë të organizohej një debat publik, të njejtiti ngurrojnë të debatojnë hapur.

Ata i marrin ftesat për debat, por as nuk kanë guximin të përgjigjen se vijnë apo nuk vijnë në debat. Pse?! Si është e mundur?! Në të ardhmen do të duhej të merremi më shumë me këtë fenomen. Me fenomenin e frikës (më tepër abstrakte) që njerëzit e kanë instaluar në kokat e tyre. A ka pasoja të heshtura, nëse shprehim një mendim publik, për të cilat duhet folur hapur? Edhe për këtë, pra, duhet folur. Kush janë ata që hakmerren tinëz ndaj kritikuesve publikë dhe a ndodhë që të shantazhohen (kushtëzohen) njerëzit duke e blerë njëfarë “pakti të mossulmit” përmes anëtarësimit në ndonjë bord apo komision shtetëror. “Ju analistë e keni lehtë të flitni çka t’iu bie ndërmend, sepse nuk keni ndonjë përgjegjësi për fjalën e thënë”. Është kjo një fjali lapidare (krejt pa lidhje demek) që na ka rënë ta dëgjojmë prej politikanëve.

Sipas kësaj logjike i bie që politikanët qenkan njerëz të fjalës, kurse të gjithë të tjerët qenkan kot emra publik, që nuk paskan kurrfarë përgjegjësie morale e profesionale për fjalën e thënë. Por, ja që politikanët kanë të drejtë deri diku, sepse ka plotë prej atyre që dikush i quan analistë, të cilët janë bërë shefa e doktora shkence në saje të mbështetjeve partiake. Kur flasin ata, politikani që ndodhet në anën e kundërt të ekranit të televizorit e shikon të shkretin gjoja analistë se si në vend të kritikës publike ia fut një mendim të kotë në frymën e lojalitetit ndaj partisë që e ka bë të jetë dikush. Prandaj, politikanët kur flasin për analistët, sigurisht e kanë parasysh këtë specie që aq shumë po na rrotullohet rreth topave sa s’po mundemi të lëvizim lirshëm.