Çlirimi i Shkupit, paradhoma e pavarësisë kombëtare

Sot kur përkujtojmë 108 vjetorin e Çlirimit të Shkupit duam të dërgojmë edhe një mesazh që mund të korrespondon me kohën e sotme. Shqiptarët edhe para 108 viteve, edhe tani, vazhdojnë të jenë element stabilizues në rajon, kurse të gjitha përpjekjet e tyre për liri e emancipim kombëtar nuk shkojnë ndesh me vlerat universale njerëzore. Përkundrazi, këto përpjeke fuqizojnë kohezionin social e kulturor në shoqëritë tona, ku dinjiteti i individit përcakton edhe mirëqenien kolektive

Nga Izet MEXHITI

12 gusht i vitit 1912 shënon shkallën e një pjekurie politike e ushtarake të shqiptarëve për të krijuar bërthamën e strukturave të mëvetësishme shtetërore, kurse marrja  e Shkupit nga kryengritësit shqiptar, me në krye Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Idriz Seferin, Mehmet Derallën, Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, siç shkruanin edhe diplomatët e kohës, konsiderohej si fitore e shkëlqyer e udhëheqjes shqiptare. Kjo hyrje triumfale e mbi 30 000 luftëtarëve shqiptarë në Shkup, i dha një intensitet edhe më të madh kryengritjes në krahinat tjera të Shqipërisë, kurse në anën tjetër nxiti krijimin e një Aleance Ballkanike në mes të Serbisë, Malit të Zi, Greqisë e Bullgarisë, të cilat i shpallën luftë Perandorisë Osmane dhe më vonë pushtuan tokat shqiptare.

Çlirimi i Shkupit para 108 viteve  dha përmbylli periudhën iluministe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe hapi procesin e pavarësimit të Shqipërisë, që ndodhi disa muaj më vonë, konkretisht më 28 nëntor 192, në Vlorë. Marrjes së Shkupit do t’i paraprijnë një mori aktivitetesh të dendura të krerëve shqiptarë, me qëllim të arritjes së një kompromisi paqësor me Perandorinë Osmane ndërkohë që më 9 gusht të vitit 1912, paria shqiptare e kohës, e udhëhequr nga Hasan Prishtina, do ti dorëzonin edhe një Memorandum komisionit të qeverisë perandorake turke, me një ultimatum 48 orësh,për pranimin e kërkesave të arsyeshme të shqiptarëve para se ta çlironin Shkupin.

Por pasi që qeveria turke edhe pas kalimit të këtij afati,nuk kishte dhënë përgjigje, luftëtarët shqiptar të grumbulluar në Ferizaj, përgatiteshin për çlirimin përfundimtar të Shkupit.

Çlirimi i Shkupit ishte epiqendra e të gjitha zhvillimeve, për arsye se bashkë me çlirimin e Shkupit  ndodhi edhe  një mobilizim i përgjithshëm, ndërkohë që forcat kryengritëse shqiptare vazhduan me çlirimin e shumicës së fshatrave dhe qyteteve në gjithë Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë.

Diplomatët dhe gazetarët e huaj që ndodhin atyre ditëve në Shkupi në raportet e tyre kishin evidentuar një sjellje shembullore të kryengritësve shqiptarë dhe për rrjedhojë nuk pati kurrfarë keqpërdorimi ndaj popullatës vendore, e cila atëbotë ishte me shumë religjione dhe etni.

Historiografia i jep një vend të rëndësishëm çlirimit të Shkupit në përpjekjet shqiptare për të luftuar kundër pushtuesve të vjetër e të rinj, por megjithatë me të drejt kjo ngjarje nuk e përmbylli procesin e pavarësimit të shqiptarëve, ku Shkupi do të duhej të ishte qendra e këtij pavarësimi, për shkak të mospajtimeve që linden në mesin e elitës së atëhershme shqiptare. Pas çlirimit të Shkupit, i cili deri atëherë ishte kryeqytet i vilajetit të Kosovës, Udhëheqja Shqiptare e luftës do t`i shkarkonte të gjithë qeveritarët dhe administratorët turq, si në Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera të çliruara shqiptare kudo, duke liruar nga çdo funksion edhe përkrahësit e mbetur të perandorisë së shuar turke.

Me ngritjen e Flamurit kombëtar më 12 gusht të vitit 1912, jo vetëm se do trazohej e gjithë qeveria xhonturke e Perandorisë së atëhershme osmane, por kjo ngjarje historike për kombin shqiptar, do ta rrëzonte edhe vet kryeministrin e atëhershëm turk, Seid Pasha-in nga pushteti perandorak.

Pas çlirimit të Vilajetit të Kosovës dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në Shkup, pranimi i vetëm 12 nga 14 pikat e Hasan Prishtinës nga Perandoria Osmane (aty mungonin dy kërkesat kryesore dhe më të rëndësishmet – njohja e shqiptarëve si Komb dhe pranimin e Shqipërisë si shtet), do të mjaftonte për Fuqitë e Mëdha që të parashtronin kërkesat e tyre të vendosura për çarmatosjen e menjëhershme dhe të detyruar të shqiptarëve, ndalimin e të gjitha aksioneve luftarake dhe përfundimin sa më parë të kryengritjes së armatosur për mbrojtjen e tokave të tyre me armë. Kjo gjë, vetëm pakë kohë më vonë do të vërtetohej se ishte parapërgatitje e dorëzimit pa luftë të trojeve tona kombëtare vendeve pushtuese ballkanike të cilat me pëlqimin dhe miratimin e Fuqive vendimmarrëse të kohës,do të pushtonin dhe copëtonin pjesë të mëdha të kombit dhe atdheut të shqiptarëve.

Sot kur përkujtojmë 108 vjetorin e Çlirimit të Shkupit duam të dërgojmë edhe një mesazh që mund të korrespondon me kohën e sotme. Shqiptarët edhe para 108 viteve, edhe tani, vazhdojnë të jenë element stabilizues në rajon, kurse të gjitha përpjekjet e tyre për liri e emancipim kombëtar nuk shkojnë ndesh me vlerat universale njerëzore. Përkundrazi, këto përpjeke fuqizojnë kohezionin social e kulturor në shoqëritë tona, ku dinjiteti i individit përcakton edhe mirëqenien kolektive.