COVID-19 dhe“ekspertët” e rrjeteve sociale

Për herë të parë, oponenca amatore facebookiane në përmasa globale e përhapur në rrugë digjitale po e rivalizon mendimin shkencor mbi virusin korona. Mbizotëron një “pako opinionesh” të gatuara se virusi korona është një alibi për të mbuluar përplasjet më të mëdha në mes të gjigantëve që vinë nga oligarkët familjar; dhe qeverive nacionale për të kontrolluar tash e në të ardhmen ekonominë globale

Nga Emin AZEMI

Janë shtuar “ekspertët” e rrjeteve sociale. I bie robit të shkretë të shohë e dëgjojë lloj-lloj teorish konsipracioni rreth virusit Covid-19. Një ‘bombardim’ i paparë shpërndarjesh po ndodhë ditëve të fundit në rrjetet sociale, teksa efektet e badihavxhillëkut kanë filluar të japin frytet e para.
Ulet burri i botës në divanin e tij dhe nga izolimi shtëpiak jep ‘leksione’ mbi ekzistimin e një komploti të madh botëror, ku jeta e njeriut qenka vënë në shënjestër të një “bande” oligarkësh ndërkombëtarë.
Për herë të parë oponenca amatore facebookiane në përmasa globale e përhapur në rrugë digjitale po e rivalizon mendimin shkencor mbi virusin korona. Mbizotëron një “pako opinionesh” të gatuara se virusi korona është një alibi për të mbuluar përplasjet më të mëdha në mes të gjigantëve që vinë nga oligarkët familjare dhe qeverive nacionale për të kontrolluar tash e në të ardhmen ekonominë globale.
Në këto përplasje herë del Kina fituese, herë oligarkët e tipit Gates, Rothschild, Rockefeller, e herë administrata e Donald Trumpit.
Përmendet pastaj edhe një teori tjetër konspiracioni që përdor Covid-19, si ‘perde tymi’ që po kamufloka rrezikun që vjen nga rrezatimi i rrjetit G5. “Padronët e botës” tash e tutje do ta kenë më lehtë të shtrijnë ndikimin e tyre, duke vendosur standarde të reja në teknologji, që mund të jenë edhe vdekjeprurëse për njerëzimin, por krahas kësaj janë gjendur edhe mënyra si të shpërqendrohet vëmendja e publikut, duke shpikur viruse që do t’i rraskapitnin njerëzit me frikën e vdekjes.
Si duhet të sillemi në këtë kohë të pakohë me “ekspertë” të Facebook-it e teori të shumta konspiracioni?
Përderisa të mos vërtetohen të gjitha këto hamendësime,sepse edhe nuk ka gjasa të vërtetohen qind për qind, ne detyrimisht duhet të vazhdojmë të rrimë nëpër shtëpia. Të ndjekim udhëzimet e ekspertëve tanë të mjekësisë dhe rekomandimet qeveritare, duke mbajtur distancën fizike dhe shmangien e komunikimit të panevojshëm.
Nuk është hera e parë që zbatohet karantina si mjeti më efikas për të penguar përhapjen e viruseve. Gjatë historisë janë zbatuar masa të tilla si domosdoshmëri e ruajtjes së shëndetit nga infeksionet.
Studiuesi arab i mjekësisë, Ibn Sina (980-1037), dyshoi se disa sëmundje përhapeshin nga mikroorganizmat! Për të parandaluar infektimin nga njeriu tek njeriu, ai shpiku metodën e izolimit të plotë të njerëzve për 40 ditë. Këtë metodë e quajti al-Arba’iniya -“Dyzeta”. Tregtarët nga Venediku kishin dëgjuar për metodën e tij të suksesshme dhe e sollën atë në Itali. E quajtën “Quarantena” (“Dyzeta” në italisht). Kjo është edhe fillesa e fjalës “karantinë”. Kurani i Shenjtë thotë: “Kush shpëton një jetë njerëzore, është njësoj si të ketë shpëtuar të gjithë njerëzimin” (5:32). Ende sot, metoda e Ibn Sina-s shpëton jo mijëra, po ndoshta miliona jetë.
Emri i plotë i Ibn Sina-s ishte Abu Ali Al-Hussein Ibn Abdullah Ibn Sina. Në perëndim e njohin edhe me versionin latin të emrit të tij: Avicenna
Prandaj tani për tani nuk kemi as kohë as mundësi të merremi me të gjitha teoritë e konspiracionit që po qarkullojnë nëpër rrjetet sociale dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të biem viktimë e këtyre teorive, duke zëvendësuar rekomandimet ekspertëve mjekësorë me qyfyret e “ekspertëve” të Facebook-ut. (koha.mk)