COVID-19, NGA SOLIDARITETI I MUNGUAR TEK NDËRGJEGJËSIMI I PAMJAFTUESHËM QYTETAR

Solidariteti ndërkombëtar po tregohet se është vlera fundamentale e njerëzimit, ndërkohë që për herë të parë ndodhi që globalizmi të mos kuptohet me termat e deritanishëm, që zakonisht ishin prezent në telekomunikacion, në mediat globale, në tregti, në aerotransport e gjetiu, por të kuptohet edhe ndryshe. Sa globale bëhet pasiguria njerëzore nëse nuk ka solidaritet në mes të vendeve dhe popujve dhe kjo u dëshmua tani me përhapjen e kësaj pandemie planetare
Nga Mehmet PRISHTINA

Ndërsa pandemia vazhdon të sfilitë globin, në pah po dalin një mori dobësish të institucioneve evropiane e ndërkombëtare, përfshi edhe ato që kanë kapacitete dhe resurse më solide, siç janë BE dhe OKB. Kjo pandemi konfirmoi edhe një herë shqetësimet e mediave, vëzhguesve dhe organizatave të ndryshme mbi burokratizimin e këtyre institucioneve ndërkombëtare, të cilat në kohë krizash tregohen të vonuara, siç edhe ndodhi rasti me BE-në e cila reagoi me vonesë në ndërmarrjen e masave adekuate kundër përhapjes së virusi korona.
Pandemia një provë e njerëzimit
Në ditët e para të paraqitjes së virusit korona në Itali, qeveria dhe institucionet shëndetësore të këtij vendi ishin treguar mjaft të pezmatuar ndaj qëndrimit pasiv të vendeve të caktuara të BE-së, të cilat nuk dëshmuan ndonjë solidaritet të duhur kundrejt kësaj krize shëndetësore. U desh të regjistrohen disa viktima dhe disa vuajtje njerëzore që të shkaktohet një reagim i vonuar i mekanizmave të BE-së, të cilat ishin ngritur pikërisht si përgjigje efikase ndaj fatkeqësive eventuale në shtetet europiane dhe në shumë dikumente të BE-së kjo ishte kualifikuar si solidaritet i brendshëm.
Një test për njerëzimin, kështu e cilësoi presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier situatën e krijuar nga përhapja e pandemisë së coronavirus. Në një dalje për mediat dhe me një mesazh për festën e Pashkëve, presidenti gjerman kundërshtoi pikëpamjet e disa liderëve, duke thënë se pandemia nuk është “një luftë” dhe duke kërkuar që gjermanët të tregojnë solidaritet me Evropën e jo vetëm
“Jo, kjo pandemi nuk është luftë. Kombet nuk luftojnë kundër kombeve dhe as ushtarët kundër ushtarëve. Përkundrazi, është një provë e njerëzimit tonë. Ajo sjell më të mirën dhe më të keqin tek njerëzit. Le t’i tregojmë njëri-tjetrit më të mirat tek ne. T’ia tregojmë Evropës. Gjermania nuk mund të dalë nga kjo krizë e fortë dhe e shëndetshme nëse fqinjët tanë nuk janë të fortë dhe të shëndetshëm”, tha ai.

Pandemia globale ka paralizuar edhe jetën fetare dhe kjo u vërejt edhe këtë të diel gjatë festës së Pashkëve. Edhe pse të izoluar për shkak të pandemisë globale, besimtarët katolikë në të gjithë botën festuan duke ndjekur përmes mediave meshat kushtuar ritualeve. I pazakontë ishte edhe bekimi “Urbi et Orbi” i Papa Françeskut, një mesazh i dhënë jo nga ballkoni në sheshin Shën Pjetër, i cili çdo vit mbushet nga mijëra besimtarë, por që brenda kishës. Ati i Shenjtë u shpreh se lutja shkon për të gjithë ata që janë prekur nga coronavirusi: viktimat, të infektuarit, të moshuarit dhe ata që janë vetëm. Po ashtu, Papa bëri thirrje që të lihet mënjanë egoizmi.
“Sot mendimet e mia në radhë të parë shkojnë për shumë njerëz që janë prekur direkt nga coronavirusi: të sëmurët, viktimat dhe anëtarët e familjeve që vajtojnë për humbjen e të dashurve të tyre, të cilëve nuk u dhanë dot as lamtumirën e fundit.
“Për shumë është një Pashkë vetmie për shkak të pandemisë. Zoti nuk na lë vetëm. Duhet përsëritur me forcë: ‘Unë nuk kam frikë. Nuk është koha e ndarjeve. E gjithë bota po përballet me pandeminë. Mesazhi Urbi et Orbi të Dielën e Pashkëve na sfidon të ndalojmë indiferentizmin, ndarjen dhe harresën gjatë kësaj kohe të Covid-19, dhe të përhapim shpresën. Nuk është koha për egoizëm, sepse sfida që po përballemi është e përbashkët, nuk bën dallime”, tha Papa Françesk.
Duke u ndalur tek situata në Europë, kreu i Vatikanit theksoi se kontinenti ia doli të ringrihet pas Luftës së Dytë Botërore falë solidaritetit.
“Sot BE ka përballë një sfidë epokale nga ku varet jo vetëm e ardhmja e saj, por edhe e botës. Të mos humbasë e mundësinë që të tregojë solidaritet. Gëzuar Pashkët”, e mbylli fjalën e tij Papa Francesku.
Pasiguria njerëzore u bë globale
Pra, solidariteti ndërkombëtar po tregohet se është vlera fundamentale e njerëzimit, ndërkohë që për herë të parë ndodhi që globalizmi të mos kuptohet me termat e deritanishëm, që zakonisht ishin prezent në telekomunikacion, në mediat globale, në tregti, në aerotransport e gjetiu, por të kuptohet edhe ndryshe. Sa globale bëhet pasiguria njerëzore nëse nuk ka solidaritet në mes të vendeve dhe popujve dhe kjo u dëshmua tani me përhapjen e kësaj pandemie planetare. Asnjë shtet nuk ka të drejt të tregohet egoist ndaj kësaj pandemie, duke e trajtuar atë vetëm si problem të vetin lokal. Fundja shtrirja e virusit Covid-19 e dëshmoi të kundërtën, se kufijtë në mes të shteteve nganjëherë nuk ekzistojnë, sidomos kur një e keqe nuk njeh atdhe, fe as etni. Kjo e keqe që ka kapluar globin mund të luftohet edhe me politika nacionale të shteteve veç e veç, siç po bën, bie fjala, Suedia, Zelanda e Re, Japonia, por kjo e keqe nuk mund të çrrënjoset nëse nuk ekziston një bashkëpunim mbinacional. Nëse nuk ndodhë kjo, atëherë çfarë funksioni do të kishin institucionet e organizatat ndërkombëtare që janë formuar disa dekada më pare, duke filluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Europian, OSBE, G-20 etj.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar sot se mbi 100 mijë persona kanë humbur jetën nga COVID-19 në të gjithë botën. Më herët Italia shpalli shtyrjen e afatit të masave izoluese deri në 3 maj, ndërsa Irlanda deri në 5 maj. Në Mbretërinë e Bashkuar që nga dita e djeshme, numri i viktimave është rritur me 980 personave.
Më herët kreut i OBSH tha se pandemia po largohet nga disa shtete, por është vërejtur një rritje e rasteve në disa vende të tjera. OBSH u shpreh veçanërisht e shqetësuar për rrezikun që i kanoset Afrikës. OBSH ka përmendur dhe më parë frikën e një përhapjeje të mundshme në kontinentin afrikan, e cila mund të sjellë pasoja të rënda duke konsideruara gjendjen e sistemeve shëndetësore, veçanërisht në zonat rurale. Ai është shprehur se do të donte të shihte heqjen e masave shtrënguese në vendet e prekua por i ka paralajmëruar për rreziqet që kjo mund të sjellë, ndaj ka rekomanduar që të ndërmerren masa parandaluese shtesë. Heqja e parakohshme e masave mund të çojë drejt një “rikthimi vdekjeprurës të virusit”, tha Dr Tedros.

Mendim ndryshe i botës shkencore
Ndërsa pandemia vazhdon të jetë objekt veprimesh e apelesh të OBSH-së, në anën tjetër ekspertë të shumtë nga e mbarë bota, me mendimet e tyre publike, po i kontestojnë qëndrimet zyrtare të shumë qeverive lidhur me përhapjen e virusit korona.
Shtypi gjerman ditëve të fundit është përplot me opinione të ekspertëve të shquar të cilët kanë mendime ndryshe sa i përket qëndrimeve zyrtare kundrejt virusit korona. Kështu, bie fjala, Dr. Karin Moling një virologe gjermane, hulumtimet e së cilës janë të orientuara nga retroviruset, ka qenë profesoreshë e rregullt e Universitetit të Zyrihut nga viti 1993 deri në 2008, kur edhe u pensionua. Puna dhe hulumtimet e saj shkencore janë shpërblyer anë e kënd botës me mirënjohje nga më të ndryshmet.
„ Për çdo mëngjes na tregojnë se sa viktima janë shkaktuar nga korona. Por nuk ju thonë se sa njerëz ishin të infektuar nga gripi sezonal i dimrit dhe sa vdekje ndodhën si pasojë e këtij gripi. Gripi nuk ishte serioz këtë dimër, por rreth 80.000 veta u infektuan dhe fare nuk u prezantuan këto shifra. Diçka ngjashëm ndodhi edhe para dy viteve dhe kjo nuk ishte vendosur në kontekst të duhur. Çdo javë në Berlin njerëzit vdesin nga mikrobet rezistuese, kurse në mbarë Gjermaninë brenda vitit kemi 35 mijë raste të vdekjes. Edhe kjo fare nuk prezantohet. Problemi më i madh është se virusi korona u prezantua si sëmundje e tmerrshme, por në vetvete është si një grip normal sezonal”, pretendon studiuesja gjermane, Dr. Karin Moling.
Kur jemi te bota shkencore po veçojmë edhe mendimin e mjekut suedez, Dr. Anders Tegnel, i cili që nga viti 2013 është epidemiolog në shkallë kombëtare në Agjencinë suedeze të shëndetit publik Ai jep disa sugjerime të vlefshme, të cilat do të mund të aplikoheshin edhe në vendin tonë. Sipas tij personat më të moshuar ose personat me probleme shëndetësore duhet patjetër të izolohen sa më shumë që të jetë e mundur, duke refuzuar vizitat e nipave e mbesave, duke shmangur udhëtimet me transport publik dhe mundësisht pa shoping.
Kjo është rregulla e parë sipas Dr. Tegnel, kurse rregulla e dytë thotë se secili që ka simptoma duhet të mbyllet në shtëpi, madje edhe nëse shfaqet ndonjë kollë e vogël.
Nëse ndiqen këto dy rregulla, thotë mjeku suedez, atëherë nuk ka nevojë për masa të tjera, të cilat mund të jenë krejtësisht margjinale.

Pse Kosova nuk mund të jetë si Suedia?
Por, a është Kosova Suedi dhe cili prej nesh do të provonte t’i zbatonte rregullat e mësipërme, prandaj u imponua si domosdoshmëri vendosja e masave më të rrepta parandaluese, ndonëse zyrtarët shëndetësorë në Kosovë vlerësojnë se dalja a pakontrolluar e qytetarëve, mosrespketimi i masave të vendosura, ka rezultuar me rritje të numrit të infektuarve me sëmundjen COVID-19. Me 79 raste të reja, Kosova ka regjistruar të dielën rekord të rasteve me koronavirusin e ri që prej se rastet e para u shfaqën në vend. Më këto shifra, numri total i të infektuarve në Kosovë shkon në 362. Lidhur më rritjen e numrit të rasteve, zyrtarë të Ministrisë se Shëndetësisë, thanë se “secila pandemi e ka fillimin e saj, zhvillimin dhe rënien. Kosova është në fazën e zhvillimit të saj dhe është e pritshme që në këtë fazë të ketë numër më të madh të rasteve pozitive”.
Pra, përderisa pandemia po zhvillohet dhe po shton viktima, ne si shoqëri do të duhej të ndërtojmë mekanizma krejt tjerë që do ta në bënin më imun ndaj çfarëdo sfide qoftë ajo, madje edhe e natyrës shëndetësore siç është kjo tani. Një shoqëri është e pjekur vetëm atëherë kur aftësinë për të mbijetuar do ta shndërronte në aftësi afatgjate për të ndërtuar mirëqenie përmes ndërgjegjësimit kolektiv. Kjo vlen sidomos tani kur Kosova po kalon momente të një situate pak a shumë kaotike në fushën e politikës, ndërkohë që vetëdija e përgjithshme qytetare po del të jetë më e pjekur se vet klasa politike. Kjo e fundit po vazhdon të zhvillojë beteja të kota që nuk i kontribuojnë normalizimit të krizës shëndetësore, por një ditë votuesi sërish do të flet dhe do të tregojë se kush çka punoi dhe si punoi në këto momente të vështira.
Ajo ditë sigurisht që do të vijë, por tek pasi t’i kemi varrosur viruset që po na marrin jetën.

Prishtinë, 13 prill