Deputeti bullgar: Politikanë, diplomat e gazetarë nga Maqedonia janë me pasaporta bullgare

Të publikohet lista e shtetasve maqedonas që kanë pasaporta bullgare. Kjo është ajo që kërkon dhe pretendon deputeti bullgar Andrei Kovaçev se ka politikanë, njerëz nga qeveria dhe opozita, por edhe diplomat, gazetarë, profesorë me pasaporta bullgare, përcjell FLAKA.

Ai shpjegon se disa prej tyre janë kundër Bullgarisë dhe prandaj kërkon nga institucionet të zbulojnë emrat e atyre që mbajnë shtetësinë bullgare dhe, sipas tij, të punojnë në dëm të Bullgarisë.

“Në fakt, të gjithë këta njerëz deklaruan se ata ndjehen bullgarë etnikë dhe se prindërit dhe gjyshërit e tyre janë gjithashtu bullgarë etnikë. Në mesin e bashkatdhetarëve tanë janë shumë politikanë të mëparshëm dhe aktualë, ish kryeministra, ish-ministra dhe ministra aktualë, kryetarë komunash, deputetë nga parlamentet e mëparshme dhe ato aktuale (disa prej të cilëve votuan kundër Marrëveshjes së Miqësisë me Bullgarinë), anëtarë të kryesisë së dy partive kryesore, diplomat, biznesmen, gazetarë, profesorë universitar”, tha Kovaçev.

Kovaçev edhe më parë kishte kërkuar zbulimin e emrave të shtetasve maqedonas me pasaporta bullgare.

Vitin e kaluar, një rrjet që jepte pasaporta bullgare u shkatërrua, ndërsa nga po ai rrjet me pasaporta ishin pajisur edhe shumë shtetas maqedonas.