Deputetja e VV’së ia kujton LDK’së pazaret e së kaluarës për poste

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërruar ende qëndrim për negocimin me pozitën e presidentit, kusht ky i kërkuar nga LDK’ja për koalicionin.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci ia ka kujtuar Lidhjes Demokratike pazaret me pozita, pas mbledhjes së grupit parlamentar ku u diskutua edhe për koalicion, raporton Gazeta Express.

Përmes një shkrimi në Facebook, Nagavci ka thënë se janë me fat që në partinë e tyre e kanë një lider që e ka më të rëndësishme të ardhmen e popullit e më të rëndësishme se sa secilin post publik.

“Është fat që kemi një lider që të ardhmen e popullit e ka më të rëndësishme sesa cilindo post publik, një njeri që qeverisjen e kupton si përgjegjësi e jo privilegj”, thotë ajo.

Nagavci ka shkruar se Kurti do të vendos standarte të reja jo vetëm në qeverisje, por edhe të marrëveshjeve eventuale politike.

“Në të ardhmen ai do të vendos standarde të reja jo vetëm të qeverisjes, por edhe të marrëveshjeve eventuale politike që në të kaluarën të tjerët i kanë kuptuar vetëm si pazare!”, ka thënë ajo.