Destani: Nuk kam plane për poste politike e as funksione shtetërore

Vetëm pak ditë më parë pas lajmeve të ndryshme lidhur me kandidaturat e mundshme me të cilat partitë shqiptare mund të dalin në zgjedhjet presidenciale, një nga emrat e atyre që u përmendën ishte dhe biznesmeni i njohur shqiptarë nga Tetova, Lazim Destani si një prej më favoritëve për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale.

Mirëpo, si duket e gjithë kjo bujë mediatike duke u përmendur emri i tij qenka thjeshtë pjesë e spekulimeve nga media online për qëllime të caktuara, kështu e demantojnë lajmin nga zyra e tij për Agjencinë e lajmeve Zhurnal.

Të pyetur nëse është i vërtetë lajmi që Destani mund të jetë përkrahur nga të gjitha partitë shqiptare si kandidaturë e mundshme për president të ardhshëm të vendit në zgjedhjet presidenciale, nga zyra e tij në Tetovë konfirmojnë se Destani lidhur me këto lajme as nuk ka pasur ndonjë komunikim me ndonjë parti politike.

“Lidhur me lajmin që po qarkullon në media për kandidimin e mundshëm të z. Lazim Destani në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, nga Zyra e z. Destani ju njoftojmë se këto janë spekulime mediatike. Përkushtimi i z. Destani është që përmes aktiviteteve filantropike dhe atyre të lobimit ta mbështesë shoqërinë në rajonin tonë dhe më gjerë.

Përndryshe, Lazim Destani nuk ka patur dhe as nuk ka plane apo synime për poste politike qofshin ato funksione shtetërore apo partiake. Këtu mund të shtojmë se lidhur me lajmin në fjalë, z. Destani madje, as nuk ka patur ndonjë komunikim me ndonjë parti politike”, theksojnë nga zyra e Lazim Destanit në Tetovë.