Diaspora përkrah kandidatin unifikues shqiptar për Kryeministër në Maqedoninë e Veriut!

Ne, Diaspora shqiptare, të bashkuar rreth shoqatës “Shqiptarët e Bashkuar”, pa dallim preference partiake, pa dallim krahine e feje, të bashkuar më shumë se çdo herë deri sot,

Po ndjekim zhvillimet në trojet tona, aq më shumë, në prag të zgjedhjeve me vlerë nacionale për shqiptarët.

Të inkurajuar nga të arriturat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, zemra jonë është e mallëngjyer nga qëndrueshmëria e kauzave, të prezantuara si interes nacional, anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Dy fitore që heq dilemat se ku do të frymojnë shqiptarët, në perëndim apo lindje, por, me këto dy të arritura, kjo dilemë më nuk ekziston.

Duke përcjellë ngjarjet e brendshme në Maqedoninë e Veriut, uniteti i shqiptarëve është më i nevojshëm se kurrë. Ky unitet, mund të sjell edhe rritje të numrit të deputetëve edhe motivimin e zgjedhësve të dalin të votojnë.

Andaj, konsiderojmë se faktori shqiptar, duhet të tregohet largpamës, unik dhe vizionar, ashtu siç ishim gjatë historisë, të bëhemi bashkë, për të zënë vendin që na takon në skenën politike të këtij shteti të ri, duke hyrë në një koalicion të madh të shqiptarëve.

Nëse këtë nuk e bëjnë partitë politike shqiptare, duhet ta bëjnë qytetarët, të votojnë shqip, të zotohen me njëri-tjetrin shqip dhe të kalohet mbi egoizmin, protagonizmin, mbi interesin personal duke u bërë bashkë, për një cilësi të re në shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Për këto 20 vite u arritën shumë suksese. Edhe një sprovë gjendet para nesh, sfida e Kryeministrit shqiptar.

Në çdo variant, shqiptarët e bashkuar dalin fitimtar. Duhet bashkim për arritjen e synimit historik që Maqedonia të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar. Kush është kundër?!!!

Ne kemi drejtuar kombe e shtete edhe shumë herë më të mëdha. Ne kemi drejtuar kauza më të vështira dhe me më shumë përgjegjësi dhe kemi dalë faqebardhë, andaj, edhe Maqedoninë e Veriut mund ta udhëheqim. Për këtë, duhet partitë shqiptare të bëhen bashkë, të votojnë një listë e një kandidat.

Shqiptarët të bëhen unik për kryeministrin shqiptar. Le të jetë personalitet unifikues, mbipartiak, me taban të fortë nacional dhe të gjithë shqiptarët le ta votojnë, për vete dhe për kombin.

Ne presim në Diasporë që faktori shqiptar të hedh prapa çdo ndasi. Jo vetëm në këtë shtet por në çdo pjesë të trojeve tona, andaj, sot është koha, është mundësia të jemi unik dhe të barabartë në sfidën e drejtimit të shtetit.

Kandidatura e Kryeministrit për të cilin votojnë të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duhet të jetë përvojë e mirë edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës, edhe për shqiptarët në Malin e Zi. Andaj ne presim me padurim, unitetin e shqiptarëve për kryeministrin shqiptar.

Kryeministri shqiptar, nuk ka nevojë jetë kandidaturë politike por profesionale dhe atdhetare, dhe ne, diaspora do ta japim mbështetjen tonë, si çdo herë për avancimin e fuqizimin e shqiptarëve kudo jetojnë. Tash është sfida në Shkup, nesër do të jetë në Preshevë, e pastaj edhe në Podgoricë. Ne jetojmë me sukseset Tuaja, ne i lutemi Zotit që ju të gjithë vëllezër të bëheni bashkë dhe fitoni, sikur çdo herë kemi fituar kur jemi bashkuar.

Ju priftë e mbara, bashkim dhe suksese për Kryeministrin shqiptar!

Vëllazërisht ju duam dhe urojmë për fitore!

Shoqata “Shqiptarët e Bashkuar!
20 Qershor 2020