Diçka e përsosur në Kosovën e plogësht e hileçare

Nga Dush Gashi

Në anën tjetër bjen telefoni. Përgjigja vjen e shpejtë:
– Alo, taksi … [emri i kompanisë], urdhëroni!
– Prapa Teatrit, ju lutem!
– Për katër-pesë minuta.

Biseda ka përfunduar. Katër-pesë minutat, pos në ndonjë rast të rallë të rrëmujës apo të ndonjë të papriture në trafik, janë vërtet katër-pesë minuta dhe një automobil ndalon pranë jush. Automjetet janë të reja, të pastra, të klimatizuara; taksistët e veshur bukur, gjatë rrugës nuk hapin biseda, ndërsa po ju drejtove për ndonjë gjë përgjigjen me mirësjellje. Gati gjithmonë të lënë përshtypjen se po përpiqen ta gjejnë rrugën më të shkurtër, në mënyrë që çmimi të cilin do ta paguani të jetë adekuat me shërbimin. Dhe çmimi, të cilin e llogarit taksimetri i vënë në vendin e dukshëm pranë retrovizorit, edhe për kushtet tona, nuk është i lartë.

Nëse ka diçka që në Kosovën me administratë të plogësht e hileçare shtetërore dhe ekonomi në përgjithësi thuaja se kurrëfare, funksionon pothuajse në mënyrë të përsosur, janë këto taksitë e Prishtinës.

Edhe në kohët më të mira të periudhës së socializmit, shërbimi i taksive ndër ne rrallë herë ka arritur cilësinë e një shërbimi dinjitoz. Taksitë e Prishtinës në përgjithësi kanë qenë diçka që ta përkujtojnë një shpenzim të tepruar luksi, apo një të papritur të madhe. Në sytë e taksistit, më së shumti do tipa ekscentrikë, e ke vërejtur shikimin e stërvitur për të kuptuar në çast nëse ke para dhe je mjaft dorëlirë, apo për ta kuptuar hallin që ke, në mënyrë që edhe çmimi të jetë në proporcion të drejtë me të. Rrugës, me pyetjet në diskrecion të shtirur të taksistit, thua se për t’u solidarizuar me ty në situatën në të cilën gjendesh, ka qenë vështirë të mos ndjehesh si në ndonjë hetim – kush je, ku po shkon, çfarë pune ke. Dhe droja paranojake: mos është spiun?! Kjo edhe nuk duhet të ketë qenë fare e çuditshme për një regjim totalitar, sepse bashkëpunimi me shërbimin sekret ka mundur fare lehtë të jetë kusht për ta marrë licencën për për punë në këtë shërbim të monopolizuar nga pushteti.

Në kohë të sotme, duhet të jetë mu demonopolizimi dhe gara e konkurrencës së lirë mes kompanive të taksive ajo që ka bërë që cilësia e shërbimeve të ngritet në cilësi. Ka edhe shërbime tjera, të cilat po kështu konkurrenca ua ka ngritur cilësinë e shërbimeve. Në dyqanet tregtare konsumatorëve nuk u ndodh të ndjehen të shpërfillur e larg asaj të mashtruar, apo të kenë nevojë të grinden me ndokë. Mirësjellja kudo është në nivelin më të lartë.

Pastaj e ke të pamundur të mos bësh krahasime me shërbimet të cilat i ofron qeveria, e të cilat, për fat të keq, dallojnë nga këto si nata me ditën. Dhe e kupton se në politikë, në të vërtetë, folur me gjuhën e ekonomisë, një monopol i vetëm i dikurshëm i pushtetit vetëm sa është shndërruar në një oligopol (sipas definicionit: strukturë tregu, në të cilën në anën e ofertës ka disa ndërmarrje dominuese, të cilat i kontrollojnë çmimet dhe kushtet tjera, duke realizuar kështu profite të larta).

Praktikisht, sistemi autoritar i dikurshëm vetëm sa pak a shumë është copëzuar në parti të shumta, me strukturë po aq autoritare sa dikur, ndërsa demokracia jonë, në fakt ka mbetur vetëm formale. Dëshmi e kësaj është edhe fakti se kulti i personalitetit, siç po e dëshmojnë edhe këto zgjedhje, po kultivohet si në kohët më të mira të socializmit.

Thua se do të mjaftojë një mesi a supermen që të na shpëtojë, në vend se një projekt i një vendi të tërë qytetarësh të vyer e përgjegjshëm!