Dimitrov: Edhe krahas apeleve, shtetin për më pak se 24 orë e kanë braktisur 1.331 qytetarë

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, mbrëmë vonë në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se edhe krahas apeleve që të mos udhëtohet, prej pardje deri dje në mëngjes, numri i qytetarëve të Maqedonisë të cilët janë larguar nga vendi është 1.331.

“Nuk dua t’i futem motiveve. Mbase të gjitha këto udhëtime kanë qenë të domosdoshme. Por, e ndjej për detyrë të paralajmëroj për gjendjen alarmante kudo. Kam përshtypjen sikur situata nuk është mjaftueshëm e qartë në rajon, në Evropë dhe në botë”, shkroi Dimitrov në Fejsbuk.

Përkujtoi se shtetet i ulin parmakët vazhdimisht, mbyllen aeroportet, ndryshojnë regjimet e kufijve, ndalohet hyrja për shtetas të huaj, ndryshojnë rregullat në disa orë.“Kemi qytetarë në aeroporte të ndryshme, me fluturime të anuluara, me bording të anuluar pasi vendi i destinacionit ka vendosur ta lejojë vetëm hyrjen për shtetasit e tyre. Kemi njerëz me automjete në kolona në Slloveni, në Austri, në Kroaci … Po lëshojmë nota diplomatike me të dhëna të ndryshme të qytetarëve tanë në bazë të bisedave të tyre telefonike me ekipin e krizave në MPJ. Disa kërkesa konsullare ia dalin, disa jo. Ne kemi kontroll vetëm mbi kufijtë tanë. Ne nuk i kontrollojmë kufijtë e shteteve të tjera”, shkroi Dimitrov.

Shefi i diplomacisë nënvizon se “në kushte të krizës së tillë të madhe globale të shkaktuar nga pandemia e virusit, me paparashikueshmëri të plotë në bazë ditore, ne absolutisht nuk do të mund të garantojmë se do të vini në shtëpi atëherë kur keni planifikuar.

“Njëherësh, çdo udhëtim në mënyrë drastike e rrit rrezikun për shëndetin jo vetëm për ju dhe për familjen tuaj por për të gjithë popullin. Qytetarë të nderuar, e përsëris: Mos udhëtoni!”, apelon Dimitrov në profilin e tij në Fejsbuk.