Dimitrov-Zaharieva: Rajoni dëshmoi se është i gatshëm për reforma thelbësore, BE-ja ta plotësojë atë që është zotuar

Rajoni i Ballkanit Perëndimor dërgoi mesazh se është i gatshëm t’i zbatojë reformat thelbësore të cilat jepen nga Bashkimi Evropian, ndërsa si kthim BE-ja t’i plotësojë zotimet e veta ndaj këtyre vendeve. Procesi i Berlinit nxit zgjidhjen e çështjeve bilaterale midis vendeve të rajonit dhe e ndihmon atë, por nuk është zëvendësim për procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit në Union. Erdhi koha rajoni të ketë pjesëmarrje më të madhe në proces dhe për herë të parë dy vende të Ballkanit të kryesojnë bashkë – njëri anëtar ndërsa vendi tjetër kandidat për në BE.

Këto janë rekomandimet kryesore të cilat i dha shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov dhe ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva në pres konferencën pas Takimit të ministrave të Punëve të Jashtme me të cilin u shënua fillimi i kryesimit të Procesit të Berlinit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Zaharieva në konferencën për shtyp dha mesazh për vendet e rajonit të shikojnë më shumë drejt së ardhmes, t’i zgjidhin kontestet bilaterale, pasi BE-ja nuk do të fusë çështje të pazgjidhura nga Ballkani.

“Duhet më shumë të shohim drejt së ardhmes, historia është e rëndësishme, e kaluara gjithashtu është e rëndësishme por gjithashtu e rëndësishme është të mësojmë nga gabimet e së shkuarës. Më shumë të jemi të bashkuar t’i vendosim theks të ardhmes tonë të përbashkët është mesazhi im për kolegët e Ballkanit. Bashkimi Evropian nuk do t’i fusë çështjet e pazgjidhura me fqinjët. Kur së bashku të ulemi në tryezën e rrumbullakët, ne atje nuk do t’i ngatërrojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona bilaterale”, tha Zaharieva.

Theksoi se kjo është baza e Procesit të Berlinit, të punojë në lidhjen midis vendeve të Ballkanit Perëndimor por edhe midis anëtareve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për marrëdhënie më të mira fqinje për ndërlidhjen e të rinjve.

E përsëriti se Procesi i Berlinit do ta ndihmojë, por nuk do të jetë zëvendësim i anëtarësimit në BE. “Ky është proces i cili do ta ndihmojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ky është mesazhi im, siç vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i plotësojnë angazhimet e BE-së, ashtu edhe ne nga Bashkimi Evropian do të qëndrojmë pas obligimeve tona. Muaji mars është muaj i rëndësishëm për t’u marrë vendime për negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, porositi Zaharieva.

Lidhur me metodologjinë e re për negociata tha se pozita e Bullgarisë është e qartë që para se të prezentohej ajo, duke e përsëritur se përpunimi i metodologjisë së re nuk duhet të jetë arsye për anulimin e negociatave.

Kështu që, tha Zaharieva, madje edhe në Këshillin e BE-së më 26 mars, sikur të mos aprovohet metodologjia e re nuk mendoj se kjo do të ishte pengesë për fillimin e negociatave.

Dimitrov potencoi se tre sinjale kryesore dolën nga kryesimi i përbashkët i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me Procesin e Berlinit.

“Berlini si nismëtar i procesit dhe të gjitha vendet e tjera të BE-së të cilat janë pjesëmarrëse kanë pasur besim se ka ardhur koha rajoni të ketë më shumë pjesëmarrje në këtë proces dhe dy vende të Ballkanit ta kryesojnë së bashku. E dyta është t’u jepet sinjal vendeve të tjera të rajonit se ky bashkëpunim është i mundshëm dhe procesin që e filluam në mënyrë bilaterale për miqësi me Sofjen, ta kemi edhe një vegël për ta shfrytëzuar për përafrimin e mëtejmë dhe ndërtimin e miqësisë. Tajmingu i këtij procesi është i rëndësishëm, ai ndodh dy javë para takimeve të rëndësishme në BE, në kontekst të asaj që pritet, ndërsa është finalizim i asaj që e filloi Komisioni Evropian me metodologjinë e re dhe me raportet e azhurnuara”, tha Dimitrov.

Tha se në deklaratën e përbashkët që e kanë miratuar prej të gjitha vendeve pjesëmarrëse, por para së gjithash prej gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor ku më shumë ne prej këtij rajoni japim mesazh ndaj pjesës tjetër të Evropës, që për ne është e rëndësishme, çfarë vizioni kemi, e riafirmojmë angazhimin tonë se do t’u kushtohemi reformave thelbësore në demokraci, qeverisjen e së drejtës, lirinë e mediave, marrëdhëniet e mira fqinje.

“Mendoj se ky është mesazh i rëndësishëm nga rajoni ndaj Bashkimit Evropian se e dimë se çfarë na pret dhe se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe ky është rezultat i mirë prej konferencës së sotme”, konstatoi Dimitrov. .