Drejtori i Ansamblit Shkodran Tolaj vizitoi Ambasadën e Kosovës në Shkup

Sot në ambientet e ambasadës së Kosovës në Shkup, ambasadori Gjergj Dedaj priti drejtorin e Ansamblit Nacional të këngëve e valleve shqipe në RMV, Shkodran Tolaj. Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore ata diskutuan për bashkëpunimin në mes dy institucioneve që kanë në fokus aktivitetet e përbashkëta ndërshqiptare, posaqërisht atyre të kulturës që kanë rëndësi për paraqitjet dinjitoze të kombit tonë brenda dhe jashtë vendit. Ambasadori Dedaj ka përgëzuar drejtorin Tolaj për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në një vit të vështirë duke arritur që Ansamblin shqiptar për një kohë të shkurtër ta etablojë si institucion shumë serioz dhe e ka përgëzuar për çmimin e marrë javë më parë si drejtuesi më i suksesshëm nga institucionet kulturore në RMV për vitin 2020. Ambasadori Dedaj ka përmendur edhe paraqitjen shumë të suksesshme të ansamblit në Prishtinë në shkurt të vitit 2019 për 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke potencuar se aktivitetet e tilla i bëjnë krenarë dhe i mbajnë të bashkuar shqiptarët. Ata ndanë ide dhe plane të përbashkëta të cilat do të jenë frytëdhënëse për vendin. Drejtori Tolaj e falemnderoi ambasadorin për përkrahjen që i ka dhënë që në fillim të marrjes së mandatit si drejtor dhe në shenjë respekti i dhuroi një ndërresë me llogon e stampuar të Ansamblit si shenjë e bashkëpunimit dhe konsideratës së ndërsjelltë!